Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, duket se nuk është i kënaqur me mënyrën se si po funksionon partia e Isa Mustafës.
Në një reagim në profilin e tij, Rrahmani ka thënë që zyrtarët e partisë duhet t’i mbajnë lidhjet me nëndegët, selitë e partisë dhe njerëzit që kanë ndikim dhe të mos aktivizohen vetëm në kohën kur bëhen listat e komisionerëve për zgjedhje.
Me gjasë Rrahmani një mesazh të tillë ia ka dërguar bashkëpartiakut Florian Dushi, duke qenë se ky i fundit ka përfaqësuar LDK-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe është marrë me çështjen e hartimit të listave të komisionerëve.
“Për ata që janë "aktiv" në parti vetëm kur bëhen listat e komisionerëve kam një propozim. Sillnu ka nëndegët, selitë, dhe thirrni në kafe njerëzit me ndikim”, ka shkruar Rrahmani.
Një gjë të tillë Rrahmani e ka thënë teksa me gjasë ka projektuar zgjedhjet e reja.
“Mos thuni u zum në befasi”, ka shkruar Rrahmani tutje.
Në fund Rrahmani ka thënë se “Kurrë su mbushëm mend”.

Ditëve të fundit është nxitur një debat brenda LDK-së, rreth koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje. Disa figura brenda partisë duket se nuk e dëshirojnë bashkëpunimin me partinë e Kurtit dhe një gjë të tillë e kanë shprehur hapur edhe nëpër mbledhje të Kryesisë.
Një ndër ta është Florian Dushi, i cili mbrëmë përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar ka thënë se është pro një marrëveshje me VV-në, por jo duke i pranuar njëanshëm kushtet e Kurtit. /GazetaExpress/









