Joschka Fischer, ish-ministri i jashtëm gjerman së fundi ka dhënë një intervistë ku ka folur për situatën aktuale politike në botë, përfshirë këtu raportet e Evropës me SHBA’të. Ish-kryediplomati, gjatë kësaj interviste ka deklaruar se nuk e kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të bënte thirrje për armatim bërthamor dhe do të kishte frikë nga një ndarje e SHBA-së me NATO-n, përcjell Gazeta Express.
Fischer është shprehur se për të, SHBA’të kanë qenë ‘’rrjeta më e madhe demokratike e sigurisë’’, dhe se për një brez evropianësh, është marrë si e mirëqenë se nëse gjërat dalin jashtë kontrollit atëherë strehimi është të SHBA’të
‘’Amerika ka qenë gjithmonë rrjeta ime e madhe demokratike e sigurisë. Për breza të tërë evropianësh, është marrë si e mirëqenë që nëse gjërat do të dilnin ndonjëherë jashtë kontrollit këtu përsëri, ata gjithmonë mund të kërkonin strehim në SHBA. SHBA-të përfaqësonin një premtim të madh lirie. Kaq mbaroi’’, ka thënë ai për Gazetën gjermane Tagesspiegel.
Ish-diplomati ka thënë se, tani, kontinenti i vjetër duhet që të bëhet fuqi, dhe se Evropa duhet të ndërtojë forcë
‘’Evropa duhet të bëhet një fuqi, dhe tani po ia dalim mbanë. Duhet të ndërtojmë forcë. Duhet të bëhemi një forcë politike. Nuk do ta kisha ëndërruar kurrë se do ta thoja këtë. E gjithë karriera ime politike ka treguar në drejtim të kundërt’’, ka deklaruar ai.
Fischer ka thënë edhe se evropianët për një kohë të gjatë kanë jetuar në iluzionin e paqes së përjetshme në kontinent, porse tani duhet një riarmatim i shpejtë dhe gjithëpërfshirës.
‘’Si mund ta parandaloni një fqinj agresiv që t'ju sulmojë? Vetëm përmes forcës dhe parandalimit. Për një kohë shumë të gjatë, ne jemi kapur pas iluzionit të paqes gjoja të përjetshme në Evropë. Tani duhet t'i kompensojmë këto mangësi përmes një riarmatimi të shpejtë dhe gjithëpërfshirës’’, ka shtuar ai.
Mbi marrëdhëniet me SHBA-në, Fischer, ka deklaruar se, tani shtetet evropiane duhet ta pranojnë faktin se ende janë të varura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, porse, Evropa ka thënë ai, duhet të rritet.
Ai ka deklaruar edhe se, se kishte imagjinuar kurrë se do të ishte e mundur që SHBA’të ta shihnin Evropën si kundërshtare.
‘’Duhet të përballemi me faktin se aktualisht jemi ende të varur nga SHBA-të. Nuk mund t’i kritikoj politikanët evropianë që përpiqen të fitojnë favore. Ata duhet ta bëjnë këtë, në interes të Evropës. Por kohët e vjetra nuk do të kthehen më. Evropa duhet të rritet. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qëndrojmë të bashkuar. Nuk do ta kisha menduar kurrë se ishte e mundur që SHBA-të ta shihnin Evropën si kundërshtare, ndoshta edhe si armike, dhe se NATO-ja do të kërcënohej nga brenda’’, ka thënë ai.
Ish-kryediplomati ka folur edhe për armët bërthamore, duke thënë se ato duhet të bëhen vetëm brenda një konteksti evropian.
‘’Do ta konsideroja një gabim të rëndë nëse Gjermania do ta shihte armatimin bërthamor si një sfidë kombëtare. Evropa duhet ta bëjë këtë, sepse garancia amerikane e sigurisë tani është e pasigurt. Gjermania nuk duhet të veprojë më kurrë vetëm, kurrë më. Ne kemi nevojë për partnerët tanë evropianë. Një bombë atomike gjermane nuk do të na mbronte vërtet dhe gjithashtu do të na shkaktonte shumë telashe. Përveç kësaj, nuk do të ishte aq e lehtë sipas ligjit ndërkombëtar. Armatimi bërthamor i Gjermanisë është qartësisht i kufizuar nga Marrëveshja Dy Plus Katër dhe, më në thelb, nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.’’, ka thënë ai. /GazetaExpress








