Forcat Mbretërore Detare të Britanisë së Madhe njoftuan se i kanë gjetur dhe konfiskuar 11 thasë me metamfetaminë të pastër në ujërat e Lindjes së Mesme. Vlera e drogës së konfiskuar besohet të jetë rreth 3 milionë e 850 mijë euro.
Ushtarët që ishin duke patrulluar me anijen “HMS Defender” e vërejtën një anije të dyshimtë në ujërat e Detit të Arabisë, duke besuar se në të ndodheshin trafikues të mallrave.
Pasi e rrethuan këtë anije dhe hipën në të për ta kontrolluar, forcat detare gjetën një sasi prej 131 kilogramësh të substancës narkotike metamfetaminë.
Kapiteni i anijes ushtarake britanike tha se është krenar që ekipi i tij e ka konfiskuar këtë sasi të konsiderueshme të drogës, e cila ka mundur të shitet në Britaninë e Madhe.
Zyrtarët britanikë njoftuan se anija e dyshimtë fillimisht ishte vërejtur nga një helikopteri. Ajo nuk kishte flamur dhe nuk ishin gjetur dëshmi që kjo anije është duke zhvilluar aktivitet peshkimi.
Anija ushtarake “HMS Defender” është dërguar për patrullim në ujërat e Lindjes së Mesme që nga muaji gusht i këtij viti për shkak të shqetësimeve për mungesën e sigurisë në Gjirin Persik.
Ndryshe, Britania e Madhe i ka rreth 11 mijë ushtarë të angazhuar në operacione të ndryshme në 30 shtete, përfshirë Somalinë, Afganistanin, Sudanin Jugor dhe Estoninë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








