Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se LDK për shkak të negociatave ka anashkaluar daljen publike në televizione për të ndërtuar një klimë mirëbesimi ndërkohë që sipas tij nga pala tjetër ka pasur “vërshime” të daljeve në studio televizive.
Ai ka thënë se nuk është e lehtë të nderohet një koalicion mes një partie të djathtë si LDK-ja me një parti të majtë si Vetëvendosje e që sipas tij këto janë partia e dytë dhe e parë.
Gashi ka thënë se LDK në pozicionin që është as nuk mund ta propozojë kandidatin për president pasi për një gjë të tillë duhen 30 vota e që LDK i ka vetëm 28.
“Kanë ma pak përvojë dhe u nxitën më shumë nga dëshira e rrjeteve sociale e mediave, sepse po kalojnë në një tranzicion, VV po kalon në një fazë që s’ka kaluar kurrë më parë, LDK i ka kalu këto”, u shpreh ai.
“Për t’u zgjedhur presidenti duhen 2/3 të jenë të pranishëm në sallë që ne bashkë me Vetëvendosjen nuk i kemi. Prandaj duam që kjo çështje vetëm të hapet e jo të përmenden emra”, tha ndër të tjera Arben Gashi në Dukagjini.








