Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli ka kritikuar sjelljen e dy partive Vetëvendosjes dhe LDK-së se gjatë takimeve të tyre gazetarët po presin me orë të tëra në temperatura të ulëta, raporton Gazeta Express.
“Tërësisht e papranueshme, jo korrekte, jo profesionale, për më tepër edhe jo humane, trajtimi i gazetarëve dhe xhiruesve gjatë përcjelljes së takimeve në mes VV e LDK. Përderisa këto takime zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta”, ka shkruar Begolli.
Ajo ka shkruar se nëse gazetarët vazhdojnë të ballafaqohen me këtë trajtim, AGK do të kërkojë bojkotimin e takimeve të këtyre dy partive nga gazetarët.
“Nëse gazetarët e xhiruesit do të vazhdojnë edhe me tutje të ballafaqohen me këtë trajtim, ne si AGK do të kërkojmë nga kolegët tonë bojkotimin e përcjelljes së takimeve, ku anëtarët e komunitetit tonë shpërfillen dhe pengohen në kryerjen e detyrës së tyre”, shkruan ajo.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar zëdhënësi për media pranë Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Manxhuka përmes Facebook-ut ka shkruar se reagimi i AGK-së është i paqëndrueshëm.
Sipas tij në çdo takim gazetarët kanë pritur brenda Kuvendit të Kosovës.
“Personalisht jam kujdesur që me të arritur te Kuvendi, në çdo takim, gazetarët të presin brenda në Kuvend, madje edhe në kohën kur Kuvendi nuk ishte i konstituuar. Nuk ka asnjë nevojë që dikush të qëndrojë në të ftohtë dhe këtë e kemi evituar në secilin takim”, ka shkruar Manxhuka.








