Gazetari hulumtues kroat Domagoj Margetiq ka deklaruar se posedon dokumente që, sipas tij, tregojnë për përfshirjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, në ngjarjet e luftës në Sarajevë gjatë viteve 1990, në kuadër të rastit të njohur si “Sarajevo safari”.
Sipas Margetiqit, bëhet fjalë për një dokument të muajit nëntor të vitit 1993, i nënshkruar nga Slavko Aleksiq, komandant i atëhershëm i Njësisë Çetnike të Novo Sarajevës.
Në dokument, Aleksiq thuhet se e njofton Komandën e Njësisë se një shtetas italian, i identifikuar me inicialet R.R., ka dhuruar shumën prej 20 mijë markash gjermane.
Sipas tij, paratë i janë dorëzuar Aleksiqit nga vullnetari i Njësisë, Aleksandar Vuciq.
Margetiq pohon se nga përmbajtja e dokumentit del se nuk bëhet fjalë për një donacion të zakonshëm, por për pagesë të shërbimeve të caktuara.
Si argument shtesë, ai përmend pjesën e dokumentit ku Aleksiq shkruan se pjesëtarët e Njësisë që kanë ofruar mbështetje logjistike për mysafirët e huaj do të marrin shtesë page prej 50 markash gjermane.
Sipas gazetarit kroat, dokumentacioni që ai posedon përfshin edhe urdhra që u kanë mundësuar Vuciqit dhe mysafirëve të Njësisë lëvizje të lirë, si dhe materiale të tjera nga arkivi i luftës i Slavko Aleksiqit.
Margetiq deklaron se arkivi i është dorëzuar nga një grup bashkëluftëtarësh të Aleksiqit, të cilëve ai më herët ua kishte besuar një pjesë të dokumentacionit.
Pas vdekjes së Aleksiqit, sipas tij, ata ia kanë dorëzuar një pjesë të konsiderueshme të kësaj arkive.
Rasti i njohur si “Sarajevo safari” lidhet me pretendimet se gjatë luftës në Sarajevë janë sjellë shtetas të huaj për të vëzhguar ngjarjet e luftës, ndërsa sipas hulumtimeve, në disa raste ata dyshohet se kanë marrë pjesë edhe në gjuajtjen e civilëve.








