Gazetarja serbe Vesna Malishiq ka vlerësuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, po e drejton vendin drejt një modeli autoritar të qeverisjes, duke minuar institucionet, sundimin e ligjit dhe liritë demokratike.
Në një analizë të saj, Malishiq shkruan se Vuciq ka përdorur sloganin për “kohën e përgjegjësisë”, të marrë nga protestat studentore, për të nisur, sipas saj, një fushatë hakmarrjeje politike ndaj kritikëve të pushtetit. Ajo thekson se presidenti ka dhënë mesazhin se vetë ai përcakton kufijtë e përgjegjësisë për këdo që vë në pikëpyetje qeverisjen e tij, shkruan Radar.
Sipas autores, pavarësisht nëse presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Vladan Petroviq, do të kthejë apo jo për rishqyrtim ndryshimet ligjore të propozuara nga deputeti Vladimir Mrdiq, drejtimi politik i vendit tashmë është i qartë. Në fund të këtij procesi, ajo paralajmëron se qëndron rreziku i një diktature.
Malishiq argumenton se kjo pasqyrohet në mënyrën se si po shkatërrohen institucionet themelore të shtetit, po dobësohet sistemi ligjor dhe po zëvendësohet sundimi i ligjit me marrëdhënie force. Ajo shton se pushteti po ushtron presion të ashpër ndaj kritikëve të tij, duke rrezikuar ekzistencën dhe karrierën profesionale të tyre, me synimin për të rikthyer frikën në shoqëri.
Në tekst përmenden edhe dyshime për lidhje mes pushtetit dhe aferave të mëdha korruptive dhe kriminale gjatë dekadës së fundit. Malishiq shkruan se pothuajse çdo aferë e madhe korruptive apo kriminale çon, sipas saj, drejt strukturave të pushtetit aktual. Ajo përmend edhe komunikimet e platformës “Sky”, për të cilat pretendon se institucionet kanë hezituar t’i dërgojnë në Prokurorinë për Krim të Organizuar.
Si shembull, ajo përmend rastin e sekuestrimit të rreth pesë tonëve marihuanë në një depo në fshatin Konjuh pranë Krushevcit, e lidhur me një zyrtar lokal të partisë në pushtet dhe bashkëpunëtor të afërt të ministrit Bratislav Gašić. Sipas saj, mediat proqeveritare nuk kanë treguar interes për sqarimin e këtij rasti apo për përgjegjësitë politike.
Gazetarja kritikon gjithashtu ndryshimet ligjore që, sipas saj, mundësojnë largimin e prokurorëve dhe hetuesve nga çështje të ndjeshme, duke rrezikuar pavarësinë e hetimeve.
Në fund, Malishiq komenton edhe paraqitjet e presidentit Vuciq në rrjetet sociale, përfshirë transmetimet “live” në TikTok, të cilat ajo i cilëson si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet reale dhe për të kontrolluar narrativën publike. Ajo paralajmëron se, në prag të zgjedhjeve, mund të pasojnë masa për kufizimin e rrjeteve sociale, të cilat sipas saj janë burimi kryesor i informimit për një pjesë të madhe të të rinjve në Serbi.
Sipas Vesna Malishiq, perspektiva që po krijohet është ajo e një shoqërie të bazuar në kontroll, izolim dhe represion, duke e larguar Serbinë nga vlerat evropiane dhe duke e afruar me modele autoritare të qeverisjes.








