Behare Nura dhe Granit Alushani, të dyshuar për vrasjen e Sefer Berishës, do qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.
Prokuroria po dyshon se Granit Alushani dhe Behare Nura së bashku me tani të akuzuarën Nafije Rrafshi, e kanë vrarë Sefer Berishën.
Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, pas kërkesës së Prokurorisë dy të dyshuarve iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, përkatësisht deri më 26 mars 2020.
Seanca që ishte planifikuar të mbahej këtë muaj, me kërkesë të prokurorit Ali Uka ishte shtyrë për një kohë të pacaktuar, me qëllim që Prokuroria të bëjë zgjerimin e hetimeve dhe të aktakuzës.
Në muajin dhjetor, pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Gjakovës kishte vendosur një muaj paraburgim të dyshuarve Granit Alushani dhe Behare Nura, në rastin e vrasjes së Sefer Berishës.
Këtë vendim gjykatësi Pozhegu, e kishte arsyetuar se nëse të njëjtit gjenden në liri do të mund të rrezikonin rrjedhën e procedurës penale, të ndikonin në dëshmitarë, e po ashtu duke mos anashkaluar edhe rrezikun e ndonjë hakmarrjeje të mundshme.
Ky rast, dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.








