Koha e Matteo Guendouzit në kryeqytetin italian duket se po shkon drejt fundit, teksa Atletico Madridi po shfaqet si një destinacion serioz për mesfushorin francez.
Sipas një raporti të “Il Messaggero”, i përcjellë nga “LaLazioSiamoNoi”, një grup ndërmjetësish udhëtuan të shtunën drejt Madridit për të zhvilluar bisedime direkte me klubin spanjoll rreth një transferimi të mundshëm.
Guendouzi po tregohet gjithnjë e më i hapur për t’u larguar nga Lazio, pasi kërkon një sfidë të re, ndërsa projekti i Diego Simeones përbën një faktor shumë tërheqës për të.
Edhe pse ka interes nga Premierliga dhe Turqia – konkretisht nga Fenerbahçe dhe Galatasaray – kontakti me Atleticon përfaqëson një hap konkret përpara.
Si rrjedhojë, bardhekaltërit kanë vendosur një vlerësim të qartë për 26-vjeçarin, duke kërkuar jo më pak se 30 milionë euro për ta lënë të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit.
Ndërkohë, Lazio po shqyrton edhe mundësinë e përfshirjes së Giacomo Raspadorit në diskutime.
Sulmuesi italian ndodhet aktualisht te Atletico, por e ardhmja e tij nuk është ende e përcaktuar, ndërsa Roma po e ndjek nga afër situatën.
Klubi kryeqytetas kishte shpresuar fillimisht në një marrëveshje shkëmbimi, por pista Guendouzi–Atletico raportohet se po zhvillohet në mënyrë të pavarur nga negociatat e tjera.
Për momentin, Claudio Lotito nuk ka ndërmend të ofrojë zbritje për një lojtar që mbetet kyç në planet e Maurizio Sarrit.
Nëse Atletico pranon të paguajë 30 milionë eurot e kërkuara, këto fonde pritet të riinvestohen menjëherë për të përmbushur kërkesat e Sarrit për përforcime në mesfushë./GazetaExpress/








