Marinika Tepic, nënkryetare e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë ‘SSP’, gjatë ditës së djeshme ka thënë se ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka mbledhur para nga biznesmenë e tregtarë armësh për të tërhequr njohjet e Kosovës.
Tepic ka thënë se për këtë duhet të jetë i njoftuar presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe të përgjigjet në pyetjet e saj.
Lidhur me këto deklarata ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ai ka thënë se sot se i gjithë populli serb në Kosovë u trishtua dhe u turpërua nga sjellja e deputetes Marinika Tepic dhe liderit të partisë Dragan Djilas.
“Aleanca për Kosovën e Re e Behgjet Pacollit dhe partia e biznesmenit serb Dragan Djilas sot flasin publikisht dhe me një zë në mbështetje të shkatërrimit të Serbisë, me një zë të fortë kundër fushatës për tërheqjen e njohjes së pavarësisë, të shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, e cila është një nga sukseset më domethënëse të Serbisë në mbrojtjen e negociatave”, tha Gjuriq.








