Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, më 9 dhjetor 2019, ka marrë vendim që ta aprovojë në tërësi si të bazuar, kërkesëpadinë e ish-arsimtarit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Baki Krasniqi.
Kjo gjykatë e ka detyruar Komunën e Kamenicës, përkatësisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, që paditësit t’ia kompensojë një pagë në emër të shpërblimit jubilar, në shumë prej 470.90 euro.
Gjithashtu, gjykata e ka detyruar të paditurën, që ajo të paguajë edhe kamatën ligjore në lartësi prej 8 %, duke llogaritur nga data e këtij aktgjykimi e deri në pagesën definitive, në afat prej 15 ditësh nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, secila palë i bartë shpenzimet e veta të procedurës.
Kundër këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Blerim Beshtica, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afatin prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Ish-arsimtari Baki Krasniqi, më 13 shtator 2019, ka ushtruar padi ndaj Komunës së Kamenicës, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, me arsyetimin se ai ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, mbi 36 vite, deri më 27 gusht 2019, kur edhe është pensionuar.
Gjithnjë sipas padisë, më 8 gusht 2019, e paditura ka marrë vendim për pagimin e tri pagave përcjellëse në shumë prej 1,582.71 euro, dhe një page jubilare në shumë prej 100%, por me rastin e pagesës në bankën “NLB Banka”, e paditura i ka paguar vetëm pagat përcjellëse dhe nuk i ka kompensuar pagën jubilare.
Andaj, sipas padisë, duke u bazuar në nenin 35 paragrafi 8 pika 8.3 të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë, të 18 prillit 2017, në të cilën parashihet se punonjësi i Arsimit i cili është anëtar i SBASHK-ut, me rastin e pensionimit për përvojë pune mbi 30 vite i takon një pagë jubilare në shumë prej 100% dhe faktet e ofruara në padi, paditësi ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij, si dhe të obligohet e paditura, Komuna e Kamenicës – Drejtoria Komunale për Arsim, që atij t’ia kompensojë në emër të shpërblimit të një page jubilare, në shumen prej 100% të pagës, t’ia paguajë gjithsejtë 470.90 euro, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8%, sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të kësaj padie në gjykatë, deri në pagesën definitive të saj në afat prej 15 ditësh, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë nën kërcënimin e përmbarimit ligjor.








