Në mbledhjen e 359-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), koordinatori për rastet e dhunës në familje, gjyqtari Dardan Kadolli, raportoi për periudhën njëvjeçare të vitit 2025, duke theksuar se institucionet zbatuese nuk i raportojnë gjyqtarëve për zbatimin e masave të caktuara ndaj personave.
“Ka një shkëputje mes vendimit kur lëshohet masa dhe raportimit nga institucionet shëndetësore, dhe shpeshherë nuk e dimë nëse masa e trajtimit psikosocial po zbatohet, sepse nuk raportohet dhe mbetet në iniciativë të gjyqtarit të interesohet”, tha Kadolli.
Ai shtoi se analizat e bëra nga ekspertët tregojnë se mungon koordinimi institucional për zbatimin e masave që gjykata shqiptojnë ndaj individëve.
Kadolli gjithashtu paraqiti statistikat për rastet e dhunës gjatë vitit 2025, duke theksuar se janë pranuar 1,013 raste, ndërsa janë zgjidhur 1,032 raste, duke lënë të mbetura rreth 900 raste në proces. Sa i përket rasteve për urdhër mbrojtjeje, janë pranuar 1,126 raste, ndërsa janë zgjidhur 1,131 raste./BetimipërDrejtësi/








