Barcelona ka konfirmuar lajmin e keq lidhur me gjendjen fizike të mbrojtësit Andreas Christensen, i cili u detyrua të mungojë në ndeshjen e së dielës ndaj Villarrealit për shkak dëmtimi.
Mbrojtësi danez ishte tërhequr në momentet e fundit nga skuadra udhëtuese, pasi kishte ndjerë shqetësime gjatë seancës stërvitore para ndeshjes. Pas ekzaminimeve mjekësore, klubi ka bërë të ditur se Christensen ka pësuar çarje të pjesshme të ligamentit të kryqëzuar (ACL) në gjurin e majtë.
Në njoftimin zyrtar, Barcelona shkruan:
“Lojtari i ekipit të parë, Andreas Christensen, ka pësuar një çarje të pjesshme të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e majtë, si pasojë e një rrotullimi të pafat gjatë stërvitjes së së shtunës. Pas testeve të kryera, është vendosur një trajtim konservativ. Koha e rikuperimit do të varet nga progresi i lojtarit.”
Klubi nuk ka dhënë ende një afat të saktë për rikthimin e tij, por raportimet e para sugjerojnë se Christensen mund të mungojë për disa muaj, një goditje e madhe si për Barcelonën, ashtu edhe për vetë lojtarin, sidomos duke pasur parasysh se kontrata e tij skadon verën e ardhshme.
Ky dëmtim e lë Barcelonën me mungesa të rëndësishme në repartin e mbrojtjes dhe rrit gjasat që klubi katalanas të kërkojë përforcime në afatin kalimtar të janarit. /GazetaExpress








