Nuk shënoi në derbi në ‘Fadil Vokrri’, por Blend Baftiu vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë në IPKO Superligë pas 20 xhirove të zhvilluara deri më tani. Ai ndanë pozitën e parë me Arb Manajn.
Derbi i xhiros së 20-të në elitën e futbollit kosovar, i zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ mes Prishtinës dhe Ballkanit, është mbyllur 0-0, raporton Gazeta Express.
Nga minuta e parë në këtë takim startoi edhe zbulimi i këtij edicioni, Blend Baftiu, e ardhmja e të cilit sipas Ismet Munishit, është jashtë Kosovës – në një klub dhe ligë më të fortë.
Blendi nuk shënoi, por pavarësisht kësaj, ai vazhdon të jetë ndër golashënuesit më të mirë në IPKO Superligë dhe kandidati numër një për ta fituar “Këpucën e Artë” për sezonin 2019/20.
Pas 20 xhirove, ai ka shënuar plot 10 gola, pra 0.50 gola për ndeshje – aq sa ka shënuar edhe Arb Manaj i Trepçës ’89.
Pozita tretë dhe e katërt ndahet nga rivalët lokal të qytetit të Gjilanit, me Betim Haxhimusën e Dritës dhe Gerhard Prognin e Gjilanit që kanë nga nëntë gola të shënuar.
Edhe pozitat pesë dhe gjashtë ndahen nga dy futbollistët e skuadrave gjilanase, me Kastriot Rexhën e Tomislav Busicin që kanë shënuar nga tetë gola.
Kujtojmë se Rexha sezonin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë, ai është fituesi aktual i “Këpucës së Artë”.
Dyshja nga ekipet e kryeqytetit, Shend Kelmendi i Flamurtarit dhe Ahmet Januzi i Prishtinës ndajnë pozitat 7 dhe 8 me nga 7 gola.
Ndërkohë listën e top 10 shënuesve e mbyllin Jean Carioca i Feronikelit dhe Fiton Hajdari i Gjilanit me nga gjashtë gola. /Gazeta Express/








