Graham Potter është një kandidat për postin e trajnerit të Suedisë, sipas raportimeve të “talkSPORT”.
Kombëtarja skandinave po kërkon një trajner të ri pas shkarkimit të Jon Dahl Tomasson.
Tomasson u shkarkua vetëm pas 18 muajsh në detyrë, pas humbjes poshtëruese 1–0 ndaj Kosovës të hënën, që pothuajse i shuan shpresat e Suedisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.

Ky rezultat e la Suedinë në vendin e fundit të Grupit B me vetëm një pikë në katër ndeshje dhe gjashtë pikë larg zonës së “play-off”.
Pas barazimit në ndeshjen e parë kundër Sllovenisë muajin e kaluar, Suedia ka humbur tri ndeshjet e tjera – dy herë ndaj Kosovës dhe një herë kundër Zvicrës, që konsiderohet favorite e grupit.
Humbja e fundit ishte pika e fundit për Federatën Suedeze të Futbollit, e cila e shkarkoi Tomasson më pak se 24 orë pas ndeshjes.
Interesimi për Graham Potter vjen pasi ish-trajneri i Brighton, Chelsea dhe West Ham ka shprehur hapur se do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e kombëtares suedeze.
Potter e nisi karrierën e tij të trajnerllëkut pikërisht në Suedi me klubin Östersunds, të cilin e ngjiti nga liga e katërt deri në elitë dhe madje e çoi në fazën e 1/8-ave të Europa League.
Ai tha për “Fotbolskanalen”: “Jam i hapur për çdo mundësi ku ndjej se mund të ndihmoj.
Posti i trajnerit të kombëtares suedeze është fantastik. Kam ndjenja për Suedinë – e dua vendin dhe e dua futbollin suedez. Kam shumë për të cilat i jam mirënjohës futbollit suedez.”
Ai shtoi: “Jam në një pozitë shumë të mirë financiare. Tani nuk më duhet të mendoj për paratë si arsye për të pranuar ose refuzuar një punë.”
Gazetari suedez Olof Lundh tha për “talkSPORT” se Potter dhe ish-mbrojtësi i Aston Villa, Olof Mellberg, janë dy nga emrat kryesorë në listë.
Sipas tij: “Mund të ketë një shans për Olof Mellberg, por edhe Graham Potter është një mundësi reale.
Federata ndoshta do të kërkojë një zgjidhje afatshkurtër për ndeshjet e nëntorit dhe nëse arrijnë ‘play-off’-in, do të marrin një shpërblim të madh dhe më pas do të vendosin për të ardhmen.”
Mellberg së fundmi drejtoi skuadrën amerikane St. Louis City, por u shkarkua pas gjashtë muajsh.
Ndërsa Potter është i lirë që nga shtatori, kur u shkarkua nga West Ham pas një periudhe të vështirë në klub.
Lundh shtoi: “Do të ishte interesante nëse Potter e merr drejtimin. Edhe pse Federata Suedeze nuk paguan shumë, ai ka fituar mjaftueshëm nga Chelsea dhe West Ham. Nuk i duhen paratë, por i duhet një projekt që ta rikthejë në qendër të vëmendjes.”
Pavarësisht emrave të mëdhenj në sulm si Alexander Isak (Liverpool) dhe Viktor Gyökeres (Arsenal), Suedia ka zhgënjyer në këto kualifikuese.
Në ndeshjen ndaj Kosovës, trajneri Tomasson kritikoi ashpër sulmuesit: “Nuk është e pranueshme, është një rezultat i tmerrshëm. Harruam si të shënojmë gola dhe nuk e di pse.”
Në atë ndeshje, Suedia pati vetëm katër gjuajtje në kuadrat, dhe Isak ishte lojtari me më pak prekje topi në fushë – vetëm 31.
Pas këtij dështimi, Federata vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me Tomasson.
Kryetari Simon Åström deklaroi: “Vendimi bazohet në faktin që kombëtarja nuk ka arritur rezultatet që prisnim.
Ende ekziston mundësia e një “play-off” në mars dhe përgjegjësia jonë është të sigurojmë kushtet më të mira për ta arritur. Për këtë arsye, mendojmë se nevojitet një udhëheqje e re.”
Tomasson, i emëruar në shkurt të vitit të kaluar, arriti vetëm nëntë fitore në 18 ndeshje.
Tani, Suedia duhet të mposhtë Zvicrën dhe Slloveninë muajin e ardhshëm dhe të përmirësojë diferencën prej -4 golash për të ruajtur ndonjë shans për kualifikim./GazetaExpress/








