Militantë të dyshuar të grupit terrorist “Boko Haram” i kanë vrarë së paku 50 persona në një ishull të Liqenit të Çadit, pranë kufirit me Kamerunin.
Një zyrtar lokal, Ali Ramat, duke e cituar një person të mbijetuar tha se peshkatarët u sulmuan nga militantët e veshur si tregtarë. Sulmi ndodhi në fund të dhjetorit, por lajmi për të erdhi më vonë.
Grupi “Boko Haram”, i themeluar në vitin 2009 në Nigeri, tashmë i ka zgjeruar aktivitetet terroriste edhe në vendet fqinje të këtij shtetit, përfshirë Çadin, Kamerunin dhe Nigerin.
Kryetari i qytetit Darak tha se në mesin e të vrarëve ishin së paku 20 qytetarë të Kamerunit, ndërsa fati i disa personave të tjerë ende nuk dihet.
Ramat tha se kjo zonë është bërë cak i sulmeve të Boko Haram-it që prej kohës kur ushtarët e Çadit i ndërprenë patrullimet në të.
Ai gjithashtu tha se forcat e përbashkëta rajonale, të përbëra nga ushtarët e pesë shteteve, nuk janë të pajisur si duhet për ta patrulluar zonën kufitare, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








