Interi u eliminua mbrëmë nga Botërori i Klubeve pasi u mposht nga Fluminense me rezultat 0:2.
E pas ndeshjes ka shpërthyer një hallakamë në taborin Zikaltër.
Kapiteni i ekipit, Lautaro Martinez e ka dhënë një deklaratë të fortë dhe goditëse që e ka trazuar ambientin e ekipit, i cili dështoi të fitonte trofe në vitin 2025, shkruan “Gazeta Express”.
Sulmuesi argjentinas e “goditi” indirekt mesfushorin Hakan Calhanoglu, i cili po mungon shkaku i një lëndimi të kontestuar, pasi ai po dëshiron të largohet nga Italia për t’u transferuar në Galatasaray gjatë kësaj vere.
“Kush do të qëndrojë te Inter, shumë mirë – le të luftojmë. Kush nuk do të qëndrojë, mund të largohet. Kemi nevojë për lojtarë që duan të jenë këtu. Jemi duke e veshur një fanellë të rëndësishme. Na duhet mentalitet i lartë – përndryshe, ju lutem, largohuni”, tha “El Torro”.
E rreth kësaj deklarate u përfshi edhe presidenti i klubit, Giuseppe Marotta, i cili duket se i hoqi krejt dilemat se me kë e kishte kapiten Martinez.
“Mesazhi i Lautaros për ata që nuk duan të qëndrojnë? Ai nuk e tha... por po e them unë. Ishte për Hakan Çalhanoglun”, tha Marotta.
“Do të flasim me Hakanin. Nëse do të ketë kushte për t’i ndarë rrugët, do ta bëjmë pa asnjë problem”, u shpreh ai.
Më pas, përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale ka reaguar edhe vetë ish-futbollisti i Milanit, i cili ka qenë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të Zikaltërve në sezonet e fundit.
“Pas dëmtimit që e pësova në finalen e Ligës së Kampionëve, vendosëm që unë të udhëtoja me ekipin për në SHBA. Të qenit atje, të mbështesja djemtë edhe pse nuk mund të luaja kishte shumë rëndësi për mua. Fatkeqësisht, gjatë stërvitjes në SHBA, pësova një tjetër dëmtim në një zonë krejtësisht tjetër. Diagnoza: këputje muskulore. Lëndimi e bëri të pamundur që unë të isha në fushë gjatë këtij turneu. Nuk ka asnjë arsye tjetër, asgjë më shumë pas kësaj.”
“Dje humbëm dhe kjo dhemb. Ndjeva trishtim, jo vetëm si lojtar, por si dikush që me të vërtetë interesohet. Edhe pse aktualisht jam i lënduar, e mora telefonin menjëherë pas ndeshjes dhe iu telefonova disa shokëve të ekipit për t’ua ngritur moralin, sepse kjo është ajo që bën kur kujdesesh për ekipin tënd.”
“Ajo që më habiti edhe më shumë ishin fjalët që erdhën më pas. Fjalë që më goditën fort. Fjalë që përçajnë, jo që bashkojnë. Në karrierën time, nuk kam kërkuar kurrë justifikime. Gjithmonë kam marrë përgjegjësi. Kam luajtur edhe me dhimbje, kam udhëhequr, veçanërisht në momente të vështira, jo me fjalë, por me veprime. Unë e respektoj çdo mendim, madje edhe nga një shok skuadre, madje edhe nga presidenti i klubit, por respekti nuk është rrugë me një drejtim.”
“Gjithmonë kam treguar respekt brenda dhe jashtë fushës, dhe besoj se në futboll, ashtu si në jetë, forca e vërtetë qëndron në shfaqjen e respektit, veçanërisht kur emocionet janë të forta. Nuk e kam tradhtuar kurrë këtë klub, nuk kam thënë kurrë se nuk jam i lumtur te Interi. Kishte oferta, në të kaluarën, joshëse. Por qëndrova sepse thellë-thellë e di se çfarë do të thotë kjo fanellë për mua dhe besoj se veprimet e mia folën qartë.”
“Kam pasur nderin ta mbaj shiritin e kapitenit për vendin tim dhe kam mësuar se lidershipi do të thotë të qëndrosh pranë ekipit tënd. Të mos tregosh me gisht kur është më e lehtë. E dua këtë lojë, e dua këtë klub dhe i dua format për të cilat kam luftuar çdo ditë. Çfarë na pret e ardhmja tani, do ta shohim. Por historia gjithmonë i kujton ata që qëndruan drejt, jo ata që ngritën zërin më shumë”, shkroi ylli turk.
Tensionet brenda ekipit janë rritur mbi të gjitha pas një sezoni dëshpërues, i cili kulmoi me humbjen e thellë në finale të Ligës së Kampionëve nga Paris Saint-Germaini. /Gazeta Express








