Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dënuar aktin e therjes me thikë të qytetarit serb nga fshati Cernicë nga i dyshuari mashkull K-shqiptar me probleme psikike, raporton Gazeta Express.
Haziri në emër të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi e ka dënuar këtë akt dhe e ka quajtur të izoluar.
“Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në emër të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, e ka dënuar këtë akt i cili është rast i izoluar dhe nuk e prish në asnjë mënyrë bashkëjetesën e tolerancën ndëretnike”, thuhet në reagim
Kryetari i Gjilanit ka deleguar nënkryetarin e kësaj komune për të vizituar familjen e viktimës.
“Haziri e ka deleguar nënkryetarin e Komunës, Arbër Ismajli me ekipin e tij, të cilët e kanë vizituar sot familjen e viktimës, duke thënë se Komuna do t’i qëndrojë afër kësaj familje.Ndryshe, Komuna e Gjilanit është vlerësuar si shembulli i mirë i tolerancës, bashkëjetesës dhe kultivimit të dialogut ndërfetar e ndëretnik, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.
Këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Në raportin 24-orësh Policia njofton se i dyshuari mashkull K-Shqiptar(me probleme psikike) për arsye të panjohura ka goditur me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull K-Serb.
Viktima është dërguar në QKUK dhe sipas mjekut, është jashtë rrezikut për jetë. I dyshuari fillimisht ndodhej në arrati, por pas përpjekjeve policore më vonë është arrestuar dhe në konsultim me prokurorin ndalohet për procedura të mëtejme.








