Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se bisedimet me Vetëvendosjen kanë zgjatur, por jo sa ka zgjatur certifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit
Haziri thotë se roli i LDK-së duhet të jetë i barasvlershëm me LV-në, në rast se dy partitë duan të arrijnë marrëveshje.
“Pritjet kanë qenë se bisedimet do të kryhen shpejt dhe do të kemi marrëveshje me Vetëvendosjen. Sot e tutje kanë mbetur pak ditë deri më 4 shkurt, pjesa më madhe e marrëveshjes është kryer, por duhet të ketë ndarje të drejtë sipas formulës së LDK-së, të datës 8 janar. Roli ynë duhet të jetë i barasvlershëm dhe VV-ja duhet ta shohë LDK-në si pjesë të marrëveshjes”, tha ai sot për RTK-në.
Haziri ka përsëritur se LDK-ja insiston të ketë kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
“Ne kërkojmë zbatim të marrëveshjes politike, ne e shohim kështu. Ne kemi votuar Glauk Konjufcën, pasi që ne kishim dhënë fjalën, nëse dikush ka dashur të na sprovojë ne kemi dëshmuar atë”, tha ai.
Sipas tij, LDK-ja e ka bërë të qartë, ose shkon me VV-ja në qeveri ose shkon në opozitë.
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje”, përfundoi ai.








