Zyrtarë nga Inspektoriati Policor i Kosovës kanë dhënë detaje për vrasjen që V.H pjesëtar i policisë dyshohet se në mëngjesin e sotëm e ka kryer në qytetin e Gjilanit. Nga IPK kanë deklaruar se polici i dyshuar për vrasjen, V. H. , jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës L.S , shkruan Express.
"Sot rreth orës 05:00 të mëngjesit Policia e Kosovës ka pranuar një informacion së në rrugën “Nato 99”, në Gjilan ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë e këtij incidenti një person ka vdekur", deklarojnë zyrtarë nga Inspektoriati Policor i Kosovës.
Sipas IPK'së, bazuar në hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar V. H. pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës L.S .
"Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty".
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./Express/







