Instagrami e ka bllokuar atleten e Xhamajkës, Elaine Thompson-Herah, pasi kampionia e dyfishtë olimpike kishte shpërndarë pamje nga triumfi i vet në Lojërat Olimpike në Tokio.
Thompson-Herah e postoi një video të familjes së vet duke i festuar medaljes e saj të arta në 100 dhe 200 metra, bashkë me pamje televizive nga gara, raporton Gazeta Express.
Pak më vonë, ajo e kuptoi se nuk kishte më qasje në llogarinë e vet në Instagram.
“Instagrami më bllokoi për postimin e pamjeve nga gara e Olimpiadës, sepse nuk i zotëroja të drejtat për ta bërë një gjë të tillë. Shihemi pas dy ditëve”, shkroi sprinterja në Twitter, duke iu referuar paraqitjes në garën 4x100 metra, ku do ta ketë mundësinë ta fitojë medaljen e tretë të artë olimpike.
I was blocked on Instagram for posting the races of the Olympic because I did not own the right to do so. So see y’all in 2 days
Asaj iu lejua qasja në llogarinë e vet në Instagram disa orë më vonë.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) i zotëron të drejtat e autorit për lojërat dhe është i rreptë në këtë aspekt.
IOC-ja i fitoi 4 miliardë dollarë vetëm nga të drejtat e transmetimit prej Lojërave Olimpike Dimërore 2018 dhe prej Lojërat Olimpike Verore 2020.
“Transmetuesit që i mbajnë të drejtat (RHB) kanë të drejtë ekskluzive për t’i transmetuar Lojërat Olimpike, këtu përfshihet edhe shpërndarja e pamjeve në rrjetet sociale, ku atletët janë të ftuar ta shpërndajnë përmbajtjen e ofruar nga RHB në llogaritë e tyre, por ata nuk mund të postojnë pamje nga garat në mënyrë të përvetësuar. Nëse ndodh kjo, atëherë përmbajtja e tillë do të fshihet automatikisht nga platformat e rrjeteve sociale”, ka njoftuar IOC-ja.
Thomspon-Herah i fitoi medaljet e arta në 100 dhe 200 metra edhe në Rio 2016. /Gazeta Express/








