Inter mbetet e vëmendshme ndaj situatës së Marc Guehit, me mbrojtësin e Crystal Palace që vazhdon të jetë lart në listën e tyre të vëzhgimit përpara verës së ardhshme.
Sipas Tuttosport, përmes TMW, kontrata e Guehit skadon në qershor 2026 dhe lojtari nuk ka ndërmend ta rinovojë.
Liverpool ishte më afër ta transferonte verën e kaluar, duke arritur një marrëveshje prej 40 milionë eurosh, por Palace e ndërpreu gjithçka ditën e fundit të merkatos pasi nuk arriti të gjente një zëvendësues.
Ndërsa Liverpool mbetet favorit për nënshkrimin e tij, Inter po qëndron në distancë, por mund të ndërhyjë nëse paraqitet mundësia.
Zikaltërit mund të kenë edhe një “aset” për shkëmbim te Yann Bisseck, një lojtar që Palace e kishte identifikuar më herët si pasues të mundshëm të Guehit dhe që vlerësohet rreth 35 milionë euro.
Bisedimet dështuan në verë, pasi qendërmbrojtësi gjerman hezitoi të pranonte lëvizjen, por Palace mund të rikthehet te kjo ide në janar, ndoshta duke shqyrtuar një marrëveshje shkëmbimi – megjithatë jo në kushte të barabarta.
Inter ndërkohë vazhdon të monitorojë edhe Joel Ordóñez (Club Brugge), Konstantinos Koulierakis (Wolfsburg), Oumar Solet (Udinese), Mario Gila (Lazio) dhe Tarik Muharemović (Sassuolo) si pjesë e planifikimit të tyre më të gjerë për repartin mbrojtës./GazetaExpress/








