Luis Rubiales u qëllua me vezë nga xhaxhai i tij teksa ish-kreu i Federatës së Futbollit të Spanjës po prezantonte të enjten mbrëma një libër kujtimesh që tregonte rënien e tij pas puthjes së pavullnetshme të një lojtareje në Kupën e Botës për Femra 2023.
Rubiales ishte ulur në një stol mbi një skenë të ulët kur u hodh në këmbë dhe u rrotullua me shpejtësi duke u përpjekur t’i shmangej tre vezëve të hedhura drejt tij. Njëra i goditi pjesën e pasme të xhaketës, ndërsa një tjetër u përplas në ekranin pas tij kur ai u vërsul drejt audiencës së vogël.
“Hyri një burrë, që më vonë pashë se ishte xhaxhai im, një njeri me probleme - ka qenë gjithmonë i tillë,” u tha Rubiales gazetarëve. “Ai kishte disa vezë dhe i hodhi drejt meje, por unë nuk e dija çfarë mbante në duar, dhe në momentin që e pashë mendova se mund të kishte një armë.”
Mediat spanjolle raportuan se xhaxhai ishte Luis Rubén Rubiales, aktor që është shfaqur në disa seriale televizive vendase.
Policia spanjolle i tha Associated Press se e ka arrestuar personin që hodhi vezët. Nuk u dha menjëherë një motiv për incidentin. Një video tregon disa burra në audiencë që e kapin xhaxhain menjëherë pasi hodhi vezët dhe e largojnë.
Rubiales ka pasur më parë një konflikt edhe me një tjetër xhaxha, Juan Rubiales, disa vite më parë kur ky i fundit punonte për të në federatë.
Libri i tij “Matar a Rubiales” (Të vrasësh Rubiales) është një version 500-faqesh i rënies së tij profesionale pas puthjes së Jenni Hermosos pa pëlqimin e saj gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve në Kupën e Botës 2023.
Sipas botuesit, Rubiales thotë se ka qenë viktimë e një “komploti të forcave të ndryshme të jetës publike spanjolle”, përfshirë qeverinë dhe “botën fitimprurëse të feminizmit”.
Rubiales ka mohuar gjithmonë se e ka puthur Hermoson pa pëlqimin e saj. Pasi fillimisht u përpoq të mbahej në detyrë mes një zemërimi kombëtar, ai dha dorëheqjen nën presion të madh nga qeveria, zyrtarët e futbollit, lojtaret dhe tifozët.
Më herët këtë vit ai u shpall fajtor për sulm seksual për puthjen e paautorizuar, nga një gjykatë spanjolle. Ai u gjobit me më shumë se 10,000 euro dhe mori një ndalim trevjeçar nga FIFA, organi drejtues i futbollit botëror.
Rubiales, 48 vjeç, është gjithashtu nën hetim nga autoritetet spanjolle për marrëveshjen e vitit 2020 që zhvendosi Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite./GazetaExpress/








