Ish-shefi i Ferrarit, Jean Todt, ka folur publikisht për gjendjen shëndetësore të legjendës së Formula 1, Micheal Schumacher pas një vizite në shtëpinë e tij, duke thënë se shpreson se bota do ta jetë në gjendje ta shohë atë shumë shpejt.
Todt ka folur për dashurinë që e ndien për yllin e sportit gjerman, i cili po vazhdon ta marrë veten nga aksidenti i tmerrshëm me ski në Alpet Franceze në vitin 2013, si pasojë e të cilit ai ka pësuar dëmtime të rënda në tru, transmeton Gazeta Express.
Gjendja shëndetësore e Schumacher është mbajtur e fshehtë që prej aksidentit të tmerrshëm, me bashkëshorten e tij, Corinna, e cila ka zgjedhur që burri i vet të mjekohet privatisht në shtëpinë e tyre në Gjenevë, Zvicër.
Todt ishte shef i shtatë herë kampionit të botës në Ferrari, por tani punon si president i organit qeverisës së Formula 1, FIA-s.
Ata ishin dyshe e pathyeshme dhe Schumacher i fitoi pesë tituj radhazi në Formula 1, nga viti 2000 deri më 2004.
“E pashë Schumacherin javën e kaluar. Ai po lufton”, tregoi Todt.
“Shpresoj se bota do të jetë në gjendje ta shohë atë përsëri së shpejti. Për këtë janë duke punuar edhe bashkëshortja dhe familja e tij”, tha Todt. /Gazeta Express/









