Gjashtë persona kanë vdekur dhe 11 të tjerë janë lënduar pasi një vozitës që dyshohet se ishte i dehur e goditi me veturë një grup të turistëve gjermanë në rajonin verior italian, Alto Adige.
Personat e vdekur, të gjithë në të njëzetat, ishin pjesë e një grupi prej 17 turistësh, kur u goditën nga një veturë e tipit “Audi TT”, e cila po lëvizte me shpejtësi të lartë, përderisa po kalonin në anën tjetër të rrugës rreth orës 1 pas mesnatës.
Tre persona të lënduar ndodhen në gjendje të rëndë. Një grua është transportuar me helikopter në një spital në Innsbruck të Austrisë.
Sipas raporteve të medieve italiane, turistët porsa kishin zbritur nga autobusi dhe ishin duke ecur afër një hoteli, kur ndodhi aksidenti.
Policia italiane e ka arrestuar një person 28-vjeçar. Dyshohet se ai ishte duke vozitur në gjendje të dehur, sepse nivelin e alkoolit në gjak e kishte katër herë më të lartë se sasia e lejuar.
Ky është aksidenti i dytë i rëndë në trafik që ndodh brenda një kohe të shkurtër në Itali për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara gjatë vozitjes.
Dy javë më parë, djali 20-vjeçar i producentit të filmave, Paolo Genovese, i goditi për vdekje dy vajza 16 vjeçe. Më vonë u zbulua se ai ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.








