Nënë e bir do të varrosen në të njëjtën ditë jo shumë larg njëri-tjetrit. Miradie e Luan Alushani vdiqën sot, të dy nga sulmi në zemër. Luani kishte probleme shëndetësore kohëve të fundit, ndërsa nëna e tij pësoi sulm në zemër posa mori lajmin se i vdiq djali. Luani ka lënë pas 4 fëmijë dhe gruan. Express ju sjell rrëfimin nga Komorani për këtë ngjarje të dhimbshme
Gentiana HASANI
Fillimi i këtij viti do të mbahet mend gjatë për familjen Alushani, të Komoranit. Në ditën e dytë të janarit, në këtë familje ndodhi diçka e rëndë. Aty vdiqën dy anëtarë të familjes. Fillimisht Luan Alushani e pastaj nëna e tij, zonja Miradie, e cila vdiq nga sulmi në zemër pak minuta pasi kuptoi se djali i saj vdiq, po ashtu, nga arresti kardiak.
Gazeta Express ka qëndruar në familjen e të ndjerëve. Familjarët kanë treguar se Luani qe disa kohë kishte pasur probleme shëndetësore, gjendja e të cilit ishte përkeqësuar kohëve të fundit.

Sipas familjarëve, Luanit mbrëmë i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore. Familjarët e kishin nisur drejt spitalit, mirëpo Luani nuk ia kishte dalë. Ai tashmë kishte vdekur.
Me gjithë pikëllimin, familjarët e të ndjerit kishin shkuar në shtëpinë e tij, ku ishte nëna, gruaja e katër fëmijët.
Aty tragjedia u dyfishua.

Me t’ia kumtuar lajmin nënës së të ndjerit Miradies se i vdiq djali, edhe kjo e fundit pëson sulm në zemër si dhe pas pak orëve pas vdekjes së djalit edhe ajo vdes.
“Jemi shumë të pikëlluar. Nuk po mund ta besojmë. Luani i ka pasur disa probleme shëndetësore. Ka pasë sulm në zemër. E kanë dërguar në spital, por aty ka vdekur. Kur ka dëgjuar nëna Miradie se i vdiq djali, iu ka përkeqësua gjendja shëndetësore, e pas disa orëve edhe ajo ka vdekur”, i tha Gazetës Express, një familjar i të ndjerëve.

E qindra persona tashmë ishin mbledhur në fshatin Komoran.
Varrimi bëhet sot, në orën 15:00, në varrezat e lagjes Alushani. /GazetaExpress/








