Analisti politik serb, Dushan Janjiq, ka deklaruar sot se për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2020 përgjegjëse janë Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një prononcim për agjencinë Beta, Janjiq tha se pas fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, është bërë e qartë se hetimet për manipulimin e zgjedhjeve janë duke u zhvilluar dhe se ato përfshijnë edhe Beogradin, raporton nova.rs.
“Së fundmi ka pasur paralajmërime për nisjen e hetimeve lidhur me vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane përmes rrjeteve sociale, si dhe për përdorimin e një adrese IP nga Serbia në një fushatë kundër Trumpit. Deri tani këto informacione nuk ishin zyrtarisht të konfirmuara, por pas fjalimit të Trumpit në Davos, tashmë është e qartë se hetimi po zhvillohet dhe se përfshin edhe Serbinë”, u shpreh Janjiq.
Ai vlerësoi se në SHBA ekziston një faktor që, sipas tij, “është nënvlerësuar nga politikanët lokalë dhe disa ekspertë të BIA-së”.
“Në Shtetet e Bashkuara vepron Agjencia Kombëtare e Sigurisë, e cila ka rol kyç në mbikëqyrjen e sigurisë kibernetike, sidomos kur bëhet fjalë për kërcënime ndaj demokracisë amerikane. Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta – dhe nuk ka arsye të besohet se Trump ka shpikur diçka – atëherë duhet pritur ndjekje penale për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në manipulimin e zgjedhjeve. Nuk përjashtohet mundësia që BIA ta ketë realizuar këtë përmes ndonjë kompanie private të lidhur ngushtë me pushtetin dhe konceptin e luftës kundër ‘revolucionit të ngjyrosur’”, tha Janjiq.
Sipas tij, disa persona që kanë qenë të përfshirë tashmë po largohen nga pozitat e larta në BIA, por kjo nuk do t’i shpëtojë nga përgjegjësia ligjore.
“Çështja kryesore është se deri ku do të shkojë hetimi dhe nëse do të përfshijë edhe Aleksandar Vuçiqin, i cili ka kontroll të plotë mbi institucionet në Serbi. Kjo do ta vendoste atë në një situatë shumë të vështirë, sepse do të nënkuptonte se një shtet ka kryer një sulm kriminal kibernetik ndaj një shteti tjetër – konkretisht ndaj SHBA-së gjatë zgjedhjeve presidenciale. Vendimin se kush do të ndiqet penalisht do ta marrë prokuroria amerikane”, përfundoi Janjiq.
Ai gjithashtu e cilësoi si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë pretendimin se pas manipulimit qëndron kompania serbe “Roaming Networks”, duke e quajtur këtë “një shërbim në favor të Vuçiqit”.
Sipas Janjiqit, në hetim duhet të përfshihet edhe Departamenti për Luftën Kundër Krimit të Teknologjisë së Lartë pranë Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
“Derisa të provohet se BIA nuk ka një ekip të posaçëm për luftën kundër revolucionit të ngjyrosur – për ekzistencën e të cilit ka folur edhe Aleksandar Vulin – përgjegjësia operative për manipulimin e zgjedhjeve amerikane bie mbi BIA-n, ndërsa përgjegjësia politike dhe penale mbi Aleksandar Vuçiqin”, theksoi ai.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në Davos se shumë shpejt do të nisë ndjekja penale për, siç i quajti ai, zgjedhjet e manipuluara të vitit 2020.
“Shumë shpejt njerëzit do të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë. Ato ishin zgjedhje të vjedhura”, deklaroi Trump.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Trump e lidhi kompaninë “Dominion Voting Systems” me falsifikimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke ndarë në rrjete sociale edhe pretendime se Elon Musk kishte parandaluar manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2024 duke çaktivizuar kompjuterët e kësaj kompanie në Serbi.
Trump humbi zgjedhjet e vitit 2020 përballë Joe Biden, por që në natën e zgjedhjeve kishte pretenduar se votat ishin manipuluar nga demokratët përmes makinave elektronike dhe pajisjeve optike të numërimit të votave të kompanisë “Dominion Voting Systems”, e cila operon në 28 shtete amerikane.
Kompania ka seli në Kanada, ndërsa degë për zhvillim softuerik në SHBA, Kanada dhe Serbi, ku është e pranishme që nga viti 2011.
Sipas faqes amerikane “Stolen Elections Facts”, “Dominion” ka hapur një qendër të të dhënave në Beograd përmes kompanisë serbe “Roaming Networks”, e njohur edhe si “Dot Networks”, e cila operon edhe në tregun amerikan.








