Katër varre u hapën në Prizren për më pak se një javë. Në to u varrosën katër persona, të cilët në rrethana të ndryshme u vranë. Ndërkohë për këto krime të rënda u arrestuan tre persona të tjerë. Express ju sjell rastet e vrasjeve të një jave që e lamë pas, nga të cilat u trondit vendi
Gentiana HASANI
Për më pak se një javë, Kosova u trondit nga katër vrasje që ndodhën. Të gjitha këto dyshohet se u kryen në rajonin e Prizrenit.
Në mëngjesin e së mërkurës (22 janar) në lagjen Ortakoll të Prizrenit çifti Durim Hadri dhe Suada Hadri u gjetën pa shenja jete.
Afër trupave të tyre u gjetën dhe u konfiskuan një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.
Por motivi i kësaj ngjarjeje ende nuk është bërë plotësisht i ditur, ani se i dyshuari kryesor besohet të jetë djali i çiftit. Ky i dyshuar sipas organeve të hetuesisë kosovare dyshohet të jetë në Greqi.
Nga Prokuroria e Prizrenit kishin deklaruar se viktimat kanë qenë duke jetuar së bashku me djalin e tyre të vogël A.H., i moshës 35 vjeç, i cili në ditën kritike nuk është gjetur në shtëpi.
Sipas informatave të policisë, ai dyshohet se ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe ka shkuar në Greqi. Deri tash, nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saktë të tij.
“Në bazë të informatave të siguruara nga ana e policisë, dyshohet se i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi. Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit drejtuar Gazetës Express.
Por kjo vrasje e dyfishtë nuk është e vetmja nga e cila u trondit Kosova gjatë javës që e lamë pas.
Gjatë së dielës (26 janar), në një lagje të Prizrenit ndodhi edhe një krim i rëndë. Këtë herë viktimë ishte një 19-vjeçar. Ai dyshohet se vdiq pas një përleshjeje me thika me një 24 dhe 26-vjeçar.
Rasti, sipas policisë, ka ndodhur në mesditën e 26 janarit në një lagje në Prizren.
“Me datë 26 janar 2020, rreth orës 15:52 min, policia rajonale në Prizren fillimisht ka pranuar një informacion për një person me lëndime në qendrën emergjente në Prizren, pasi policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe duke e trajtuar rastin ka pranuar informatën se personi i lënduar ka ndërruar jetë. Viktima është E.K., mashkull i moshës 19-vjeçare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Por vetëm një ditë pas më 27 janar një vrasje ndodhi në Suharekë. Aty u vra një 44-vjeçar. Për këtë rast është arrestuar një person.
Në vendin e ngjarjes ka dalë njësiti i specializuar i hetimeve rajonale dhe prokurori i Shtetit dhe vendi i ngjarjes është procesuar dhe shikuar nga njësiti i forenzikës dhe hetuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe gjatë shikimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja të zbrazëta të armës dhe 4 pjesë metalike që dyshohet se janë të predhave të plumbit të armës së zjarrit. Ndërsa gjatë bastisjes se shtëpisë dhe automjetit të personit të dyshimtë policia ka gjetur edhe armën e tipit pushkë gjysmautomatike me 2 fishekë dhe 2 gëzhoja me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
Viktima është Sh.K mashkull i lindur në vitin 1976. I dyshimti S.A mashkull i lindur në vitin 1980, i cili ishte nën ndikimin e alkoolit është ndaluar dhe është arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit.
Trupi i pajetë, me urdhër të prokurorit, dërgohet në IML për obduksion, ndërsa me rastin po merren hetimet rajonale të policisë për të kuptuar rrethanat se si ka ardhur deri te vrasja. /GazetaExpress/








