Fitorja ndaj Serbisë është hedhur tashmë pas krahëve, me trajnerin Sylvinho që po mendon për takimin miqësor ndaj Jordanisë.
Aziatikët, të kualifikuar në Botërorin e vitit të ardhshëm, konsiderohen si test i domosdoshëm për kuqezinjtë, për të provuar veten ndaj kundërshtarëve të një niveli të lartë.
Ndryshimet nga takimi i Leskovacit pritet të jenë të shumta, sidomos në pikat kyçe të formacionit dhe aty ku ka ngarkesë fizike në këtë fazë të sezonit.
Pas performancës së mirë ndaj Serbisë, Thomas Strakosha pritet t’i lërë vendin njërit mes Dajsinanit ose Simonit në portë, me portierin e Egnatias më të favorizuar për të qenë titullar.
Në mbrojtje pritet të ketë minuta për Klisman Çaken, por edhe për Enea Mihajn, ndërsa mesi i fushës mund të pësojë rotacion total.
Sylvinho do të kërkojë garanci nga Medon Berisha, Ylber Ramadani dhe Nedim Bajrami, me këtë të fundit që kundër serbëve kishte shansin për të dyfishuar rezultatin.
Ylli i Rangers kërkon më shumë besim për të qenë element i rëndësishëm te kuqezinjtë dhe testi ndaj Jordanisë ia jep këtë shans, shkruan Tema.
Edhe sulmi mendohet të ketë transformim, me Arbër Hoxhën dhe Armando Brojën që do të vepronin në krahë, ndërsa në qendër mund të provohet Mirlind Daku.
Miqësorja e luksit mes Shqipërisë dhe Jordanisë luhet këtë të martë në orën 19:00.








