Një nga misionet kryesore të Partisë Laburiste, njëjtë si e majtistëve tanë, është adresimi i problemeve industriale, dhe, të dy qeveritë kanë hartuar strategji përkatëse. Por dallimi në cilësi dhe përmbajtje në mes tyrë është i madh. Përderisa politikat industriale të qeverisë laburiste, në krye dhe në fund, bazohen në një partneritet të ngushtë në mes shtetit, komunitetit afarist dhe sindikatave, ky element tek strategjia indsutriale e majtistëve të Kosovës nuk ekziston fare
Fadil Sahiti
Që kur kryeministri konservator i Mbretërisë së Bashkuar Sunak caktoi datën për zgjedhjet e përgjithshme, një nga narrativat kryesore ka qenë se laburistët do të fitojnë zgjedhjet me një diferencë të madhe. Dhe kështu ndodhi.
Jam përpjekur të ndjek herë pas here debatin politik, veçanërisht mes dy partive kryesore pretendente, Laburistëve dhe Konservatorëve, dhe të nxjerr elemente krahasuese mes Kosovës dhe Britanisë. Edhe pse ngjashmëritë nuk janë shumë valide, ka një lloj simetrie mes Kosovës dhe Britanisë, sidomos në zgjedhjet e fundit. Simetria ekziston në shkaqet që çuan në disfatën e konservatorëve britanikë dhe të të ashtuquajturve konservatorë të Kosovës, PDK-së dhe LDK-së. Ndër të tjera, shkak i humbjes në të dyja rastet janë keqqeverisjet e njëpasnjëshme dhe skandalet që kanë karakterizuar qeveritë në të dy vendet, veçanërisht gjatë periudhës kur kryeministër ishte Boris Johnson. Kujtojmë mashtrimet dhe gënjeshtrat e tij gjatë kohës së COVID, gjë që për një mjedis politik si Britania nuk është shumë e zakonshme. Dhe, votuesit britanikë janë jashtëzakonisht të pafalshëm ndaj nëpunësve të tyre publikë.
Tashmë pritet që Britania të qeveriset nga një lider që nuk duket shumë karizmatik, por ka një vizion të qartë politik. Bëhet fjalë për Sir Keir Starmer, fëmijën e një familjeje të shtresës së mesme, i cili ishte i pari në familjen e tij që ka bwrw universitet. Karriera e tij profesionale është interesante dhe vetë-zbuluese; tregon qartë bindjet e tij laburiste. Starmer ka qenë avokat në disa çështje gjyqësore kundër korporatave me emra të mëdhenj si Shell dhe McDonald's, si dhe avokat kundër vendimeve politike të 'Zonjës së Hekurt', ish-kryeministres konservatore Margaret Thatcher, për mbylljen e disa minierave. Gjatë qeverisjes së Tony Blair-it, pra gjatë luftës në Kosovë, Starmer ishte këshilltar i lartë për të drejtat e njeriut, gjë që na bën të kuptojmë se ai është i njohur me luftën dhe situatën tonë politike.
Nëse ka një lloj simetrie mes konservatorëve britanikë dhe të djathtëve tanë, ekziston një asimetri e madhe nw mes majtistëve britanikë dhe të majtëve kosovarë. Sigurisht, kjo mund të pritet. Kushdo që lexon programet politike dhe ekonomike të laburistëve britanikë dhe programet politike dhe ekonomike të të majtëve të Kosovës, nuk e ka të vështirë ta kuptojë dallimin. Natyrisht, konteksti historik, politik, ekonomik, kulturor etj. ndryshon shumë. Por ajo që do duhej të jetë e ngjashme wshtw qasja politike. Ajo që bie në sy kur lexohet programi politik dhe ekonomik i Partisë Laburiste është qartësia, si në analizën e problemeve me të cilat përballen britanikët, ashtu edhe në mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve.
Një nga misionet kryesore të Partisë Laburiste, njëjtë si e majtistëve tanë, është adresimi i problemeve industriale, dhe, të dy qeveritë kanë hartuar strategji përkatëse. Por dallimi në cilësi dhe përmbajtje në mes tyrë është i madh. Përderisa politikat industriale të qeverisë laburiste, në krye dhe në fund, bazohen në një partneritet të ngushtë në mes shtetit, komunitetit afarist dhe sindikatave, ky element tek strategjia indsutriale e majtistëve të Kosovës nuk ekziston fare. Strategjia e politikave industriale e majtistëve kosovarë fare pak bazohet në fakte empirike, e si pasojë edhe prioritetet ekonomike janë të pa bazuara, nuk ka afate zbatimi, nuk ka mekanizëm monitorimi, etj.
Dikush mund të thotë se është qesharake të pretendosh krahasueshmëri mes politikanëve britanikë dhe kosovarë. Kjo mund të qëndrojë, sikur politikanët kosovarë, siç thotë populli, t'ia dinin hallin vetit. Por, kur shkojnë jashtë shtetit, nuk ngurrojnë të mbajnë ligjërata akademike për funksionimin e demokracisë, ligjet e tregut, zhvillimin industrial, etj. Do të ishte logjike që edhe veprat t'i kishin në simetri me pretendimet e tyre!








