“La Gazzetta dello Sport” raporton se Juventusi ka identifikuar sulmuesin e Evertonit, Beto, si një përforcim të mundshëm në repartin ofensiv, pasi bisedimet me Youssef En-Nesyri kanë dështuar.
Sulmuesi i Evertonit, Beto, është shfaqur si një opsion i minutës së fundit për Juven, teksa bardhezinjtë vazhdojnë kërkimin për një qendërsulmues të ri.
Sipas “Gazzettas”, Juventusi është i interesuar vetëm për një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje, çka është edhe arsyeja pse En-Nesyri e ka refuzuar ofertën e tyre.
Mbetet për t’u parë nëse Beto do të pranonte një transferim të përkohshëm në Torino, nëse të dy klubet arrijnë një marrëveshje. “Gazzetta” raporton se Evertoni e vlerëson Beton në 20 milionë euro.
Sipas raportimit, ndërmjetësit tashmë po punojnë për një marrëveshje të mundshme mes të tre palëve, edhe pse Beto nuk është objektivi i vetëm i Juventusit në sulm.
Bardhezinjtë kanë zhvilluar tashmë bisedime me Crystal Palace për Jean-Philippe Mateta dhe raportohet se kanë rifilluar kontaktet me Manchester United për Joshua Zirkzee.
Juventusi ende nuk ka bërë asnjë afrim të ri në afatin kalimtar të janarit, i cili do të mbyllet zyrtarisht javën e ardhshme, më 2 shkurt, në orën 21:00.
Beto, ish-sulmues i Udineses, nuk është titullar i rregullt tek Evertoni, ku këtë sezon ka shënuar tre gola në 25 paraqitje./GazetaExpress/








