Raportimet në Itali pretendojnë se Juventusi ka hapur bisedime për një rikthim të mundshëm të huazimit të sezonit të kaluar, Randal Kolo Muani, pasi kuptuan se një marrëveshje për Youssef En-Nesyri duket e pamundur.
“Bianconerët” kanë qenë në kërkim të një qendërsulmuesi të ri gjatë janarit dhe kishin qenë afër sigurimit të një marrëveshjeje për En-Nesyrin e Fenerbahçes, por ajo marrëveshje ka ngecur pasi marokeni nuk është i interesuar të shkojë në Torino me një huazim fillestar, sipas raportimeve të së hënës.
Kjo situatë i ka bërë Juventusin të rishikojë opsionet e tjera, duke përfshirë Jean-Philippe Mateta, Beto, Federico Chiesa dhe Joshua Zirkzee.
Sipas raporteve të Fabrizio Romano dhe Alfredo Pedullà, Juventusi ka nisur gjithashtu bisedimet për një rikthim të mundshëm të Kolo Muanit, i cili aktualisht është i huazuar në Premierligë te Tottenham Hotspur.
Francezi kaloi një periudhë huazimi të suksesshme te “Zonja e Vjetër” në gjysmën e dytë të sezonit 2024-25, duke shënuar një gol çdo dy ndeshje në Serie A, me tetë gola nga 16 paraqitje në kampionat.
Në huazimin e kaluar të dimrit nuk kishte klauzolë blerjeje, dhe përfundimisht Juventusi nuk arriti të gjente marrëveshje me klubin prind PSG as për një huazim të zgjatur e as një transferim të përhershëm gjatë verës.
Kjo çoi në huazimin e 27-vjeçarit te Tottenham në ditën e fundit të merkatos verore. Edhe kjo marrëveshje nuk përfshin opsion blerjeje.
Megjithatë, Kolo Muani nuk ka lënë të njëjtin përshtypje në Londrën Veriore siç bëri në Torino: ai ende nuk ka shënuar asnjë gol në Premierligë pas 15 paraqitjesh.
Sipas raportimeve të së hënës, Juventusi ka hapur bisedime për një marrëveshje të mundshme për Kolo Muani gjatë janarit.
Kjo nuk vjen pa vështirësi, pasi raportimet tregojnë se Tottenham dhe trajneri Thomas Frank nuk duan të lejojnë largime lojtarësh para fundit të merkatos së janarit.
Sipas “Calciomercato.com”, marrëdhëniet mes Juventusit dhe PSG-së nuk janë veçanërisht të mira pas negociatave të dështuara gjatë verës./GazetaExpress/








