Juventusi po e vazhdon interesimin për sulmuesin norvegjez të Borussia Dortmundit, Eling Braut Haaland. Sipas gazetës gjermane Bild, Haaland ka klauzolë për shkëputjen e kontratës me Dortmundin për 75 milionë euro.
19-vjeçari norvegjez tashmë ka qenë i përfolur disa herë për një transmetim potencial te bardhezinjtë, edhe para se të transferohej nga Salzburgu në Dortmund për 20 milionë euro gjatë afatit kalimtar të janarit, transmeton Gazeta Express.
Ai e ka vazhduar ecurinë e tij të mrekullueshme si golashënues këtë sezon, me 40 gola të shënuara në 33 ndeshje zyrtare me klube, përfshirë këtu dhjetë golat në gjithsej tetë paraqitjet në Ligën e Kampionëve.
Statistikat e tilla bëjnë që ai të vlerësohet si njëri ndër talentet më premtues në futbollin evropian dhe për të të ketë interesim të madh nga klubet e mëdha, që mund ta transferojnë atë nga viti 2022 për 75 milionë euro, pasi që aq është vlera e klauzolës së tij për shkëputjen e kontratës me Dortmundin.
Sipas gazetës prestigjioze gjermane Bild, shumë klube tashmë janë duke planifikuar për transferimin e Haalandit duke marrë parasysh se çmimi prej 75 milionë eurove nuk cilësohet më edhe shumë i madh në botën e futbollit.
Ndër klubet që janë më së shumti të interesuar
për norvegjezin është Juventusi. Gjiganti italian e ka bërë të qartë këtë
interesim edhe te agjenti i futbollistit, Mino Raiola. /Gazeta Express/








