Studentët në bllokadë të Fakultetit Juridik në Novi Sad kanë publikuar një video-incizim ku shihet një incident, gjatë të cilit një person i veshur me të zeza dhe me kapele sulmon fizikisht një burrë që prezantohet si gazetar.
Në videon e publikuar në llogarinë zyrtare të studentëve në bllokadë, shihet momenti kur sulmohet personi në fjalë. Sipas tyre, ai u godit nga një individ që ndodhej në grupin e personave të mbledhur më herët gjatë ditës në shesh.
Jel za režim ovako izgleda kulturno-umetnički program?
Prava predstava je ispred SNP-a. pic.twitter.com/CmX5Rxny0o
Sipas pamjeve, burri i veshur me të zeza dhe me kapele ka reaguar fillimisht duke kundërshtuar faktin që po filmohej, ndërsa më pas është bërë më agresiv pasi personi i sulmuar i është prezantuar si gazetar.
Ndërkohë, në Novi Sad po mbahet një protestë para Teatrit Kombëtar Serb, ku brenda po zhvillohet një akademi solemne me rastin e 200-vjetorit të themelimit të ‘Matica srpska’. Ngjarja u shenua dje.
Në këtë aktivitet ishte paralajmëruar pjesëmarrja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, por ai ka anuluar ardhjen në Novi Sad. Në vend të tij, në ngjarje ka marrë pjesë kryetari i SNS-së, Milosh Vuceviq.
Po ashtu, në akademinë solemne marrin pjesë edhe patriarku Porfirije, ministri i Arsimit Dejan Vuk Stankoviq, ministri i Kulturës Nikola Selakoviq dhe zyrtarë të tjerë.
Rrethanat e plota të incidentit mbeten të paqarta, ndërsa nuk ka ende informacion zyrtar nga autoritetet për këtë rast.








