Sot shënohen katër vjet nga nisja e pushtimit të plotë rus ndaj Ukrainës, i urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin më 24 shkurt 2022. Sulmi që filloi me bombardime masive dhe ofensivë tokësore nga disa drejtime – përfshirë nga territori i Rusisë, Bjellorusisë dhe Krimesë së aneksuar – u shndërrua në konfliktin më të madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjatë katër viteve të fundit, luftimet kanë përfshirë zona të gjera në lindje dhe jug të Ukrainës, me beteja të ashpra në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Hersonit. Mijëra civilë janë vrarë, miliona janë zhvendosur brenda dhe jashtë vendit, ndërsa infrastruktura energjetike dhe qytetet kryesore kanë pësuar dëme të mëdha nga sulmet me raketa dhe dronë.
Ukraina, nën udhëheqjen e presidentit Volodymyr Zelenskyy, ka marrë mbështetje të gjerë politike, financiare dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. BE-ja ka miratuar disa pako sanksionesh ndaj Rusisë, duke përfshirë masa ndaj bankave, sektorit energjetik, industrisë së mbrojtjes dhe individëve të afërt me Kremlinin.
Kosova është rreshtuar krah partnerëve perëndimorë, duke iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë. Qeveria në Prishtinë ka dënuar vazhdimisht agresionin rus dhe ka shprehur mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Në anën tjetër, Serbia ka refuzuar vazhdimisht t’u bashkohet sanksioneve ndaj Moskës. Edhe pse ka votuar në OKB në favor të rezolutave që dënojnë agresionin rus, Beogradi zyrtar ka mbajtur qëndrim neutral sa i përket masave ndëshkuese ekonomike, duke ruajtur lidhje të ngushta politike dhe energjetike me Rusinë.
Katër vjet pas nisjes së luftës, perspektiva për një marrëveshje paqeje mbetet e paqartë. Përderisa përplasjet në terren vazhdojnë dhe linjat e frontit mbeten të paqëndrueshme, lufta në Ukrainë vazhdon të ketë pasoja të thella gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë për gjithë kontinentin evropian.
Në përvjetorin e katërt të luftës së plotë të Rusisë kundër Ukrainës, do të mbahet një ceremoni në selinë e NATO-s, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte.
“Të martën, më 24 shkurt 2026, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mark Rutte, do të marrë pjesë në një ceremoni në selinë e NATO-s në Bruksel për të përkujtuar përvjetorin e katërt të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës,” njoftoi NATO.
Sekretari i Përgjithshëm do të mbajë gjithashtu një fjalim, i cili pritet të transmetohet drejtpërdrejt.
Ndërkohë, siç është raportuar më herët, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të vizitojnë Ukrainën për të shënuar të njëjtin përvjetor të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë,.
Kjo vizitë vjen në një moment kur mbështetja evropiane për Ukrainën po konfirmohet, pavarësisht disa pengesave të brendshme në BE, si bllokimi i paketave të reja të sanksioneve kundër Rusisë nga Hungaria.








