Gjatë të martës, Gazeta Express ka raportuar për rastin e veteranit të UÇK’së, Veli Morina, nga Rigjeva e Klinës, i cili jeton në kushte të rënda ekonomike.
Veli Morina gjithashtu përballet edhe me mungesë të energjisë elektrike për shkak të një borxhi që kap vlerën e 1 mijë e 700 eurove. Këto informacione në adresë të gazetës i ka dhënë bashkëluftëtari i tij Faik Zogaj, i cili edhe ka kërkuar ndihmë për Veliun.
Ndërkohë lidhur më këtë në adresë të Gazetës Express kompania KEDS ka dërguar një sqarim, ku thuhet se personi në fjalë përgjatë vitit 2018-2019 ka shfrytëzuar në mënyrë ilegale energjinë elektrike, ndërkohë theksojnë se Veli Morina nuk është as në listën e rasteve sociale.
“Konsumatori në fjalë vetëm gjatë periudhës 2018-2019 i ka nëntë (9) rikthime të humbjeve, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe ka përdor energjinë elektrike ilegalisht, dhe të njëjtit i janë rikthyer humbjet që i ka shkaktuar rrjetit distribuiv. Vlenë të theksohet që konsumatori që nga viti 2015 nuk ka qenë i përfshirë as në listën e rasteve sociale, listë kjo që dërgohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në KEDS”, thuhet në sqarimin e KEDS.
Nga kjo kompani thonë se për raste të tilla veprojnë në bazë të rregullave dhe i trajtojnë të gjithë konsumatorët në mënyrë të njëjtë.
“Në këso rastesh, kompania duhet të veprojë konform rregullave dhe njëkohsisht të trajtojë të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë pa marr parasysh statusin, pasi e ka obligim ligjor si entitet i rregulluar. Pra, KEDS nuk guxon në asnjë rrethanë të favorizojë ndonjë konsumator”, thuhet tutje në sqarimin e KEDS-it.








