Emiri i Katarit dhe presidenti i Iranit zhvilluan një bisedë telefonike për të bërë një vlerësim të situatës në rajon dhe përpjekjeve për deeskalim, njoftoi sot agjencia shtetërore e lajmeve e Katarit, QNA, në një moment tensionesh të shtuara dhe mes kërcënimeve amerikane për një ndërhyrje ushtarake kundër Teheranit.
Sipas QNA, sheiku Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian diskutuan mbi “zhvillimet e fundit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, si dhe mbi ecurinë e situatës aktuale dhe përpjekjet që po bëhen për uljen e tensioneve dhe garantimin e stabilitetit.
Të dy liderët theksuan gjithashtu rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë si mjetet kryesore për zgjidhjen e krizave dhe shmangien e përshkallëzimit në rajon. /Panorama








