Në prill të vitit 1999, Albin Kurti ishte arrestuar nga forcat serbe bashkë me babanë e tij, Zaim Kurti, dhe vëllanë Arianit Kurti.
Lajmin në atë kohë e kishte dhënë edhe Televizioni shqiptar TVSH, i cili ishte dritarja e vetme e informimit televiziv për shqiptarët e Kosovës.
Në atë kohë, moderatori Mustafë Muçaj dëgjohet duke dhënë lajmin për arrestimin në familjen Kurti.
“Burimet tona nga Prishtina, na njoftojnë se tash e 10 ditë janë arrestuar nga forcat serbe, Zaim Kurti, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Demokratike Shqiptare dhe dy bijtë e tij, Albin Kurti, veprimtar i dalluar studentor në Prishtinë dhe sekretar i zyrës së Adem Demaçit dhe Arianit Kurti student i vitit të tretë në fakultetin teknik në Prishtinë. Nuk ka informacione për fatin e të arrestuarve”, thuhet në lajmet e vitit 1999 në TVSH, transmeton Magazina.al.
Ndonëse vëllai dhe babai i tij ishin liruar më pas, Albini më 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe ku aty u mbajt deri më 7 dhjetor 2001 kur u lirua pas presionit ndërkombëtar.








