Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm të negociojë çështjet e vështira drejtpërdrejt me homologun e tij rus Vladimir Putin, në mënyrë që të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare midis dy vendeve, tha të martën Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha.
Çështjet më të ndjeshme në kuadër të negociatave për të arritur një zgjidhje ende nuk janë zgjidhur, vuri në dukje Ministri i Jashtëm Sibiha në deklaratat “European Truth”. Ai i referohej territorit dhe fatit të centralit bërthamor të pushtuar nga trupat ruse në rajonin e Zaporizhzhias.
“Z. Zelensky është i gatshëm të takohet me z. Putin për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura”, u shpreh Sybiha.
Rusia kërkon lëshime territoriale nga Ukraina përpara se ajo të bjerë dakord të diskutojë një armëpushim, konkretisht tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga Donbasi, ose rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, dhe nga dy rajone të tjera që Moska thotë se i ka aneksuar.
Centrali bërthamor në Zaporizhia, më i madhi në Evropë, u pushtua nga trupat ruse në mars të vitit 2022, disa javë pas pushtimit. Zelensky ka kërkuar vazhdimisht të takohet me Putin në të kaluarën, diçka që Kremlini në përgjithësi e sheh me rezerva.
Gjatë fundjavës, negociatorët nga Kievi dhe Moska zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Emiratet e Bashkuara Arabe, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Ata pritet të takohen përsëri të dielën, më 1 shkurt, në Abu Dhabi.








