Kina e ka shkarkuar nga pozita zyrtare drejtorin e Zyrës Ndërlidhëse në Hong Kong, Wang Zhimin.
Agjencia e lajmeve “Xingua” raportoi se ish-drejtori është zëvendësuar me Luo Huining-un, i cili deri tash ka shërbyer si sekretar i Partisë Komuniste për provincën veriore, Shanxi.
Shkarkimi i zyrtarit të lartë erdhi pas gjashtë muajve të protestave masive dhe të dhunshme në Hong Kong, të cilat e kanë vënë në sprovë durimin e Pekinit me të deleguarit e vet në qytetin me autonomi të kufizuar.
Në anën tjetër, Carrie Lam, shefja ekzekutive e Hong Kongut, po vazhdon të qëndrojë në pushtet me përkrahjen e liderëve kinezë, pavarësisht se është kritikuar për projektligjin rreth ekstradimit të qytetarëve të dyshuar në Kinë.
Protesta e parë kundër këtij projektligji ishte mbajtur në mars të vitit të kaluar, ndërsa në protestat e mëvonshme morën pjesë më shumë se një milion njerëz.
Hong Kongu ka qenë koloni e Britanisë së Madhe deri në vitin 1997, kur kontrollin në këtë territor e kishte marrë Kina. Qyteti tash qeveriset sipas sistemit “një shtet, dy sisteme”, i cili i garanton sistem të pavarur të drejtësisë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








