Pas një kohe të gjatë në armiqësi politike, Hashim Thaçi, president i Kosovës, dhe Albin Kurti, kryetar i LVV-së, do të takohen për herë të parë. Takimi do të mbahet në orën 13:30 në Presidencë.
Hashim Thaçi do ta presë në takim sot në Presidencë liderin e LVV-së, Albin Kurti. Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, Thaçi ka thirrur Kurtin në takim konsultativ.
Gazeta Express ka siguruar letrën që Thaçi ia ka dërguar Kurtit, ku thuhet se do të ndërmerren hapat për formimin e Qeverisë së Kosovë.
“Ju ftoj që të merrni pjesë në takim konsultativ për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në ftesën e Thaçit dërguar Kurtit.
Takimi Thaçi - Kurti vjen një ditë pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku me propozim të liderit të LV-së është zgjedhur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe nënkryetarët. /GazetaExpress/









