Për herë të parë, në vendin tonë do të organizohet Kampionati i Hapur i Xhudos.
Ky kampionat do të nis edhe katër ditë dhe do të organizohet në Prishtinë.
Në lidhje me këtë, Federata Evropiane e Xhudos e ka cilësuar si një moment historik këtë eveniment, shkruan "Gazeta Express".
“Tituj historik në Kosovë. Shumë atletë mund të kenë përfunduar sezonin 2023, por ngjarja përfundimtare e xhudos është Kampionati Evropian i Hapur dhe i pari me shpërblim të madh financiar për fituesit”, ka shkruar kjo federatë.
Në krahun tjetër, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, i cili është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian të Xhudos ka thënë se kjo premierë është e veçantë, e kanë pritur gjatë.
E për herë të parë, tifozët tanë kanë mundësinë të shohin dy kampionet olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, duke garuar në Kosovë.
Madje, të dyja janë në kategorinë -57 kg dhe për herë të parë në karrierë mund të përballen mes veti. Në kategorinë -73 kg, garojnë Akil Gjakova e Dardan Cena.
Luftërat preliminare nisin në ora 10:30, ndërsa blloku final prej orës 17:00. /Gazeta Express/








