Jurgen Klopp e ka pranuar se Liverpooli do të përballet me një sfidë shumë të vështirë në ndeshjen e fundit në grup në Ligën e Kampionëve, e cila edhe do të jetë përcaktuese për fatin e të kuqve në përpjekje për ta mbrojtur titullin.
Liverpooli e lëshoi nga dora mundësinë për t’u kualifikuar në 1/8 e finales në Champions, pasi u ndal me barazim 1:1 nga Napoli të mërkurën në Anfield, raporton Gazeta Express.
Klubi italian kaloi në epërsi në pjesën e parë, falë golit të Dries Mertnes, pak momente pasi Liverpooli e humbi mesfushorin Fabinho për shkak të lëndimit.
Liverpooli, që hasi në vështirësi për ta gjetur ritmin e lojës, ia doli ta barazojë rezultatin përmes Dejan Lovren, që shënoi me kokë në pjesën e dytë.
Si pasojë e këtij rezultati, Liverpooli do të luajnë kundër Salzburgut në ndeshjen e fundit duke e ditur se ende nuk e ka të siguruar kualifikimin.
Humbja ndaj Salzburgut do të nënkuptonte eliminim për të kuqtë dhe Klopp thotë se lojtarët e tij janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën gjenden.
“Të gjithë ne po mendojmë, ‘Oh Zot, do të jetë e vështirë’ dhe do të jetë e vështirë, kjo është mese e qartë”, tha Klopp. /Gazeta Express/








