Sheffield Wednesday është vendosur nën administrim dhe është ndëshkuar automatikisht me një zbritje prej 12 pikësh nga EFL.
Julian Pitts, Kris Wigfield dhe Paul Stanley nga kompania Begbies Traynor janë emëruar si bashkë-administratorë, pasi u zbulua se HM Revenue & Customs (tatimet britanike) do të paraqisnin një kërkesë për shpërbërjen e klubit.
Stafi është informuar, ndërsa administratorët kanë zhvilluar edhe një takim me lojtarët.
“The Owls” do të presin Oxford United në stadiumin “Hillsborough” të shtunën, me klubin aktualisht në vendin e fundit të Championshipit dhe tani me -6 pikë pas zbritjes së pikëve.
Duke zbatuar menjëherë ndëshkimin, EFL tha në një deklaratë se administrimi “është një mundësi për të ecur drejt një shitjeje të suksesshme dhe për të siguruar të ardhmen e klubit nën pronësi të re”.
Vendosja nën administrim shënon në mënyrë efektive fundin e pronësisë dhjetëvjeçare të Dejphon Chansiri mbi klubin, me Sheffield Wednesday Supporters Trust që ka konfirmuar se bojkoti i tyre ndaj ndeshjeve ka përfunduar.
Karriget që formonin emrin e Chansirit në tribunën veriore të “Hillsborough” u hoqën të premten pasdite.
Në një deklaratë, Sheffield Wednesday tha se administratorët u emëruan “pas përpjekjeve të konsiderueshme për të arritur një marrëveshje për shitjen e klubit te një pronar i besueshëm në javët e fundit, përpjekje që fatkeqësisht nuk u finalizuan, dhe mes presioneve të shtuara nga kreditorët”.
Sipas “BBC Sheffield”, ka blerës të interesuar dhe administratorët janë tashmë në diskutime aktive, duke ftuar gjithashtu oferta formale nga investitorë të tjerë të mundshëm.
Kris Wigfield, partner menaxhues në Begbies Traynor, tha: “Bashkë-administratorët kanë marrë menjëherë drejtimin e klubit për të mbrojtur interesat e kreditorëve dhe për të siguruar që Sheffield Wednesday të vazhdojë operimin ndërkohë që kërkojmë sa më shpejt një pronar të ri. Ashtu si shumë klube futbolli, klubi ka operuar me humbje të mëdha për shumë vite, të cilat më parë janë mbuluar nga pronari. Zoti Chansiri nuk është më i gatshëm të ofrojë këtë mbështetje financiare. Edhe pse bojkoti i tifozëve kohët e fundit nuk e ka shkaktuar drejtpërdrejt falimentimin, ai ka rritur presionin financiar mbi klubin. Si rezultat, pronari ka zgjedhur të vendosë klubin nën administrim. Tifozët janë shtylla e çdo klubi futbolli. Paratë që ata shpenzojnë në bileta dhe brenda stadiumit janë jetike. Unë vetë jam mbajtës i abonimit sezonal që nga viti 1984 dhe e di mirë pasionin e kësaj baze tifozësh. Tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë që tifozët të kthehen në stadium — të blejnë bileta, mallra, pite dhe birra. Çdo qindarkë e shpenzuar do të shkojë drejtpërdrejt për mbështetjen e funksionimit të përditshëm të klubit, jo për ish-pronarin apo shpenzimet profesionale. Kjo do të ndihmojë stabilizimin e klubit ndërsa sigurojmë një pronar të përshtatshëm”.
Kreditorët e klubit janë inkurajuar të kontaktojnë administratorët për të regjistruar kërkesat e tyre.
Paul Stanley, një nga bashkë-administratorët e tjerë, shtoi: “Nuk do të ketë ndërprerje të orarit të ndeshjeve dhe jemi në kontakt të ngushtë me EFL për të minimizuar ndikimin e këtij procesi te punonjësit, tifozët, komuniteti dhe lojtarët sa më shumë të jetë e mundur. Sheffield Wednesday është një klub i madh, historik, me një bazë besnike tifozësh në një qytet që jeton me futbollin. Nëse më shumë tifozë kthehen në Hillsborough, klubi mund të mbulojë shpenzimet e përditshme dhe të ecë drejt një shitjeje të qëndrueshme tek një pronar i ri që mund të sigurojë stabilitet afatgjatë. Me strukturën e duhur të pronësisë, jemi të bindur se klubi ka një të ardhme të ndritur dhe do të përmbushë të gjitha detyrimet rregullatore të EFL”.
Me konfirmimin e kalimit të klubit nën administrim, Sheffield Wednesday Supporters Trust (SWST) njoftoi se bojkoti i tyre ndaj ndeshjeve në “Hillsborough” ka përfunduar dhe po inkurajojnë sa më shumë tifozë të jenë të pranishëm në ndeshjen ndaj Oxford United të shtunën.

Rob Brookes, anëtar bordi i SWST, tha: “Po dërgojmë njoftime në këtë moment për të përmbysur plotësisht situatën e bojkotit. Po përpiqemi të sjellim sa më shumë njerëz në stadium, në dyqanin e klubit dhe në tribunat e brendshme. Shpresojmë që nesër të kemi një turmë të madhe.”
Lajmi u komentua edhe nga qeveria britanike, me Ministren e Kulturës Lisa Nandy që tha se kjo situatë forcon bindjen për nevojën e një rregullatori të pavarur të futbollit.
“Për tifozët, stafin dhe lojtarët e Sheffield Wednesday, kjo është një situatë jashtëzakonisht shqetësuese,” tha deputetja e Wiganit.
“Duke qenë vetë në një situatë të ngjashme me ekipin tim, Wigan Athletic, e di që të gjithë ata që e duan klubin do të shpresojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë. Situata të tilla janë pikërisht arsyeja pse kjo qeveri krijoi Rregullatorin e Pavarur të Futbollit (IFR). Pronaret duhet të jenë kujdestarë të mirë që veprojnë në interesin e klubit të tyre — dhe qartësisht, në këtë rast, kjo nuk ka ndodhur. Ne po punojmë me shpejtësi për t’i dhënë rregullatorit kompetencat e nevojshme që ai të mund të mbrojë më mirë të ardhmen e klubeve dhe të sigurojë që ato të mbeten në zemër të komuniteteve të tyre”, tha ajo.
Ligji për Qeverisjen e Futbollit u bë ligj në korrik, me David Kogan të emëruar si kryetari i parë i rregullatorit të ri të pavarur të futbollit anglez (IFR).
Më herët këtë muaj, Kogan tha se problemet e Sheffield Wednesday janë “një shqetësim serioz” dhe se institucioni është duke kërkuar kompetenca për të hetuar klube në situata të tilla.
“E kuptojmë që ky është një moment i vështirë për tifozët dhe stafin e Sheffield Wednesday,” tha një zëdhënës i IFR pas konfirmimit të administrimit.
“Ne po punojmë ngushtë me qeverinë për të sjellë sa më shpejt në fuqi kompetencat tona, në mënyrë që të mund të ndërmarrim veprime kundër pronarëve dhe drejtorëve që nuk veprojnë në interes të klubit të tyre. Është e papranueshme që tifozët e klubeve të futbollit të përballen me këtë nivel pasigurie. Regjimi ynë do të punojë për të parandaluar paqëndrueshmërinë dhe për të mbrojtur klubet në dobi të tifozëve dhe komuniteteve të tyre”, shtoi ai.
Biznesmeni tajlandez Dejphon Chansiri mori drejtimin e Hillsborough në mars të vitit 2015 me synimin për ta rikthyer klubin në Premier League për herë të parë që nga viti 2000.
Ata u mposhtën në finalen e “Championship play-off” nga Hull City në majin pasardhës, por kjo ishte më e afërta që arritën për t’u kthyer në elitë gjatë pronësisë së tij.
Në sezonin 2020-21, klubi u rrëzua në League One pas një zbritjeje prej gjashtë pikësh për shkelje të rregullave financiare.
Darren Moore i riktheu në kategorinë e dytë në vitin 2023, por u largua me marrëveshje të përbashkët pak më vonë, ndërsa Danny Rohl e stabilizoi klubin pas një fillimi të dobët nën drejtimin e Xisco Muñoz.
Gjatë periudhës së Chansirit kishte probleme të përsëritura me pagesat e rrogave, të cilat kulmuan kur pagat e majit nuk u dhanë në kohë, pas vonesave të mëparshme në mars.
Aktualisht, klubi është nën pesë embargo financiare të EFL-së dhe pagat nuk janë paguar në kohë në pesë nga shtatë muajt e fundit.
Rohl, i cili tani ka marrë drejtimin e Rangers, u largua në korrik dhe ndihmësi i tij, Henrik Pedersen, mori drejtimin e ekipit, ndërsa klubi nuk mund të shtonte lojtarë të rinj për shkak të problemeve financiare.
Përveç protestave para dhe gjatë ndeshjeve këtë sezon, tifozët bojkotuan ndeshjet e EFL Cup kundër Leeds United dhe Grimsby Town, ndërsa një grup i vogël hyri në fushë për të ndërprerë përkohësisht humbjen 5-0 ndaj Coventry City.
Më pas ndodhi një bojkot masiv në ndeshjen e ligës kundër Middlesbrough./GazetaExpress/








