Pas Prishtinës, Rahovecit, Lipjanit e Drenasit, edhe Komuna e Prizrenit ka lëshuar urdhëresë për ndalimin dhe përdorimin e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike në vendet e hapura publike, raporton Express
Përmes një njoftimi për media, Komuna e Prizrenit ka bërë me dije se urdhëresa vlen për të gjitha zonat e banuara si rrugë, sheshe, tregje, trotuare, parqe dhe oborre shkollash.
“Urdhëresa mbetet në fuqi deri më 15 janar 2020 dhe përjashtim bën vetëm nga data 31 dhjetor 2019 në orën 23:00 deri më 01 janar 2020 në ora 01:30”, thuhet në njoftim.
Tutje, Komuna ka paralajmëruar edhe për masat që do të ndërmerren nëse nuk respektohet urdhëresa.
“Në rast të mosrespektimit të kësaj urdhërese, inspektorët komunalë do të jenë të detyruar të marrin masa ndëshkuese ndaj shkelësve sipas legjislacionit në fuqi”, njofton Komuna.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MMPH-ja ka bërë me dije se një kërkesë e tillë vjen për shkak të ndotjes së ajrit dhe pasojave që mjetet piroteknike shkaktojnë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.
“Më qëllim të mbrojtjes së ajrit nga ndotja dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, ka kërkuar ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike gjatë festave të fund vitit, në hapësira publike dhe zona të banuara”, thuhet në komunikatë.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP), përmes një apeli ka kërkuar nga qytetarët që të mos luajnë më mjete piroteknike në prag të festave të fund vitit.
“Mos luani me mjete piroteknike. Statistikat flasin për minimum 100 të lënduar rëndë e lehtë çdo festë nga hedhja e mjeteve piroteknike. Lëndimet nuk riparohen”, thuhet në reagimin në Facebook.
Ky Institut ka sugjeruar qytetarët që paratë e dedikuar për mjete piroteknike t'i dhurojnë për familjet e varfra. /Gazeta Express








