Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-un, tha se ka marrë vendim që t'i japë fund suspendimit të testeve bërthamore dhe testimit të raketave me rreze të gjatë veprimi. Moratoriumi kishte hyrë në fuqi gjatë bisedimeve të vendit komunist me Shtetet e Bashkuara.
Kreu korean gjithashtu tha se vendi i tij së shpejti do ta prezantojë një armë të re strategjike. Megjithatë, ai e la të hapur derën e dialogut dhe tha se shkalla e testeve do të varet nga sjellja e Shteteve të Bashkuara.
Atmosfera për arritje të marrëveshjes mes dy vendeve është venitur për shkak se Uashingtoni ka refuzuar t'ia largojë sanksionet Koresë Veriore derisa ky vend të tërhiqet plotësisht nga programi i vet bërthamor.
Koreja Veriore i kreu disa teste të armëve më të vogla në fundin e vitit 2019, në atë që u cilësua si përpjekje për ta shtuar presionin ndaj Shteteve të Bashkuara.
Deklarata e liderit të Koresë Veriore erdhi në kohën kur forcat amerikane po i vazhdojnë ushtrimet me ushtrinë e Koresë Jugore, shkruan "BBC", transmeton Gazeta Express.








