Kombëtarja e Kosovës në hendboll te vajzat u mblodh të dielën në prag të ndeshjeve vendimtare sa i përket kualifikim për Kampionatin Botëror të këtij viti.
Kombëtarja kosovare sot paradite e zhvillua seanca e dytë stërvitore, shkruan Gazeta Express.
Sipas Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), atmosferë shumë pozitive po mbretëron te ekipi kombëtar.
Nën urdhërat e selektorit Agron Shabani, “Dardanet” po përgatiten për dy ndeshjet e vështira dhe vendimtare për kualifikim në Kampionatin Botëror të këtij viti. Përballë Kosovës do të jetë Polonia, Kombëtarja me traditë të gjatë dhe e nivelit të lartë evropian.
Ndeshja e parë luhet të enjten prej orës 17:45 në Bielsko-Biala të Polonisë. Për në Poloni, ekipi i Kosovës do të udhëtojë të martën.
Ndërkohë ndeshja e kthimit është më 12 prill nga ora 20:15 në Prishtinë.
Hendbollistet e Kosovës po punojnë me përkushtim maksimal për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet me polaket. Të kujtojmë që në fazën e parë kualifikuese, Kosova e eliminoi Kombëtaren e Ishujve Faroe, për suksesin historik. /Gazeta Express/








