Kosova ka rënë një pozitë më poshtë në renditjen e ekipeve kombëtare të FIFA-s dhe tani pozicionohet në vendin e 115-të, si pasojë e dy humbjeve në ndeshjet kualifikuese për Euro 2020 në nëntor.
Humbja 2:1 kundër Republikës së Çekisë në Plzen dhe disfata 4:0 kundër Anglisë në Prishtinë gjatë këtij muaji, ndikuan që Kosova të bjerë në pozitën e 115-të, raporton Gazeta Express.
Kombëtarja e Kosovës kishte shënuar ngritje historike për pesë vende në renditjen e FIFA-s muajin e kaluar, nga pozita e 119-të në atë të 114-të.
Megjithatë, dy humbje radhazi dhe dështimi për ta siguruar pjesëmarrjen në Euro 2020 përmes fushatës kualifikuese, bënë që Kosova t’i humbasë 10 pikë në renditje dhe të bjerë një pozitë më poshtë.
Në renditjen paraprake, Kosova i kishte 1184 pikë dhe renditej e 114-ta.
Tani, verdhekaltrit kanë 1174 pikë dhe renditen në pozitën e 115-të.
Kosova nuk do të luajë më deri në mars, kur takohet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalen e play-off të Ligës së Kombeve, në përpjekje për t’u kualifikuar në Euro 2020. /Gazeta Express/








