Kombëtarja e Kosovës në futboll, në konkurrencën e femrave, sot ka udhëtuar drejt Gjermanisë, ku të premten prej orës 18:00 do ta zhvillojë ndeshjen kualifikuese për “Euro 2021” kundër Rusisë.
Kosova do të luajë në rolin e nikoqires sepse kjo ndeshje do të duhej të zhvillohej në Prishtinë. Por, për shkaqe politike – që Kosova ende nuk është njohur nga Rusia – ndeshja zhvillohet në Wiesbaden, raporton Gazeta Express. Edhe ndeshja kthyese pritet të zhvillohet në terren neutral.
Ekipi i Kosovës – i përberë me lojtare nga kampionati vendor dhe i kryesuar nga selektorja Afërdita Fazlija dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Vjollca Krasniqi – do t’i zhvillojnë dy stërvitje të mërkurën dhe të fundit të enjten para përballjes me ekipin e ruseve.
“Në Gjermani udhëtojnë me synimin për një prezantim sa më të mirë dhe për rezultat pozitiv, ndonëse Rusia është mjaft cilësore”, ka thënë Fazlija.
Kosova në ndeshjen me Rusinë hyn me një problem të madh, shkruan Gazeta Express. Kjo për shkak se në Kosovë kampionati i femrave ishte në pushim dhe lojtaret e ftuara shkojnë në ndeshjen kualifikuese për Evropian thuajse direkt nga pushimi. Vetëm në fundjavën e kaluar është zhvilluar java e parë e kampionatit femëror në Kosovë. /GazetaExpress/








