Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, po qëndrojnë në Amsterdam për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të 44-t të UEFA-s, si dhe për shortin e Ligës së Kombeve.
Të hënën në mbrëmje, krerët e FFK-së u takuan me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferinin, ndërsa sot atyre do t’iu bashkohen edhe trajneri Bernard Challandes, ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala për shortin e Ligës së Kombeve, transmeton Gazeta Express.
Ky kongres po zhvillohet 100 ditë para Kampionatit Evropian dhe në të po diskutohen tema të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë aktivitet madhështor, por edhe zhvillimin e futbollit në të gjitha federatat anëtare të UEFA-s. Kongresin e kanë përshëndetur presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.


Sot në orën 18:00, do të hidhet shorti për edicionin 2020/21 të Ligës së Kombeve në Amsterdam, ku Kosova dhe Shqipëria do ta mësojnë fatin për grupet e veta në Ligën C. Dy kombëtareve shqiptare mund edhe t’iu bie shorti të përballen mes vete.

Pasi e fitoi Grupin 3 të Ligës D edicionin e kaluar, Kosova është ngritur në një ligë më lart, në atë C. Ndërsa, Shqipëria për pak sa s’ra në Ligën D për këtë edicion të ri.
Aktualisht, edhe Kuqezinjtë e edhe Dardanët janë në Ligën C dhe pasi që radhitet në dy vazo të ndryshme – Shqipëria në vazon e parë dhe Kosova në vazon e dytë – shorti mund të bëjë që atë të duhet të luftojnë kundër njëra-tjetrës gjatë edicionit 2020/21.
Liga C
Vazo 1: Greqi, Shqipëria, Mali i Zi, Gjeorgjia
Vazo 2: Maqedonia e Veriut, Kosova, Bjellorusia, Qipro
Vazo 3: Estonia, Sllovenia, Lituania, Luksemburgu
Vazo 4: Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Moldavia
Në këtë short do të marrin pjesë edhe ekipet e tjera kombëtare në tri ligat e tjera.
Liga A
Vazo 1: Portugalia, Holanda, Anglia, Zvicra
Vazo 2: Belgjika, Franca, Spanja, Italia
Vazo 3: Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina, Danimarka, Suedia
Vazo 4: Kroacia, Polonia, Gjermania, Islanda
Liga B
Vazo 1: Rusia, Austria, Uellsi, Republika Çeke
Vazo 2: Skocia, Norvegjia, Serbia, Finlanda
Vazo 3: Sllovakia, Turqia, Republika e Irlandës, Irlanda Veriore
Vazo 4: Bullgaria, Izraeli, Hungaria, Rumania
Liga D
Vazo 1: Gjibraltari, Ishujt Faroe, Letonia, Lihtejnshajni
Vazo 2: Andorra, Malta, San Marino
Kur janë ndeshjet?
Xhiroja 1: 3-5 shtator 2020
Xhiroja 2: 6-8 shtator 2020
Xhiroja 3: 8-10 tetor 2020
Xhiroja 4: 11-13 tetor 2020
Xhiroja 5: 12-14 nëntor 2020
Xhiroja 6: 15-17 nëntor 2020
Finalet: 2, 3, 6 qershor 2021
UEFA i ka bërë disa ndryshime nga edicioni i fundit i Ligës së Kombeve. Tani do të jenë nga katër skuadra në top tri nivelet (Ligën A, Ligën B dhe Ligën C), përderisa herën e kaluar shumica e grupeve ishin me nga tri skuadra, transmeton Gazeta Express.
Për më tepër, ky edicion i Ligës së Kombeve nuk garanton tani vende për Kupën e Botës 2022, përderisa edicioni i kaluar ua mundëson katër skuadrave të kualifikohen për EURO 2020, në mesin e të cilave synon të jetë edhe Kosova.
Megjithatë, dy ekipe do të kenë mundësi të kualifikohen për Kupën e Botës në Katar përmes kësaj rruge, pasi që dy nga 12 vendet në play-offs për Botëror (për tri vende të lira) do të jenë në dispozicion për ekipet përmes Ligës së Kombeve, në krahasim me 16 ekipet që marrin pjesë në play-offs për Evropian.
Ndeshjet e këtij edicioni do të zhvillohet nga shtatori deri në nëntor të vitit 2020, ndërsa finalet do të mbahen verën e ardhshme. /Gazeta Express/








